Qeveria pranon mashtrimin me fondet e BE, shpenzon 377 mijë euro për të hetuar veten!

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 24.10.2024, 19:29

Qeveria shqiptare ka pranuar për herë të parë abuzimin me fondet e BE-së përmes programit IPARD II, që synonte mbështetjen e bujqësisë. Një dokument i publikuar nga Ministria e Financave zbulon se fondet janë shpërndarë me "mashtrime dhe konflikt interesi", duke e bërë të qartë se këto nuk janë thjesht shkelje administrative, por vepra penale që duhet të hetohen nga autoritetet ligjzbatuese.

Por në vend që të nisë një hetim të brendshëm, Ministria e Financave ka hapur një tender prej 377,000 eurosh për të "hetuar" Agjencinë e Zhvillimit Bujqësor Rural (AZHBR), institucionin përgjegjës për shpërndarjen e fondeve, që është drejtpërdrejt nën varësinë e qeverisë. Kjo agjenci ka shpërndarë miliona euro për biznesmenë dhe politikanë, madje edhe persona të lidhur me botën e krimit, duke sjellë ngrirjen e programit nga Bashkimi Evropian, i cili ka bllokuar fondet e ardhshme për bujqësinë në Shqipëri.

Tenderi për auditimin e jashtëm do të zgjasë 165 ditë dhe do të hetojë zbatimin e programit IPARD II gjatë periudhës 2014-2020. Raporti final do t’i dorëzohet Zëvendësministres së Financave, Adela Xhemali. Ky vendim ka ngritur pikëpyetje mbi qëllimin e vërtetë të qeverisë për të hetuar vetveten dhe se përse nuk i referohen këto shkelje organeve të pavarura të drejtësisë, duke përforcuar dyshimet për një mbulim të skandalit.

Në raportin e BE-së, është bërë e qartë se ka pasur mashtrime dhe parregullsi serioze në disa projekte të financuara nga IPARD II, ndërsa institucionet shqiptare nuk kanë marrë masa për t'i parandaluar këto shkelje.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit