Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka mbyllur hetimet për deputetin socialist, Plarent Ndreca. Sipas burimeve, përfaqësuesit ligjorë të Ndrecës janë paraqitur sot në SPAK për t'u informuar mbi përfundimet e hetimit. Ata tani kanë disa ditë për të përgatitur dokumentet e tyre, përpara se dosja të dërgohet në Gjykatën Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO).
Ndreca përballet me akuzën për "Shkelje të barazisë në tender", një akuzë që është ngritur edhe ndaj disa zyrtarëve të tjerë dhe anëtarëve të komisionit të vlerësimit të ofertave. Kjo akuzë lidhet me rikonstruksionin e katër komisariateve të policisë, gjatë kohës kur Ndreca ishte Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme.
Kontrolli i Lartë i Shtetit bëri kallëzim penal në korrik 2021, duke akuzuar se kishte shkelje ligjore në procedurat e prokurimit publik që favorizonin disa operatorë ekonomikë dhe rritën pa arsye koston e ndërtimit dhe projektimit të objekteve. Pesë funksionarë të Ministrisë së Brendshme po ashtu janë nën hetim për të njëjtat shkelje.