Universiteti “Eqerem Çabej” në Gjirokastër ka përjetuar një rritje të konsiderueshme të aplikimeve nga studentë të huaj, kryesisht nga Afrika Veriore dhe Azia, në fillimin e këtij viti akademik. Pavarësisht se numri i pakët i studentëve mund ta çonte drejt mbylljes, mbase studentët-emigrantë janë një opsion për qeverinë që ta shpëtojë nga “zhdukja”.
Numri i studentëve i përdorin studimet si justifikim për të marrë lejeqëndrim në Shqipëri e më pas ta përdorin si rrugë kalimi për të shkuar në Europë, është i madh.
Shumica e tyre vijnë nga vende si Egjipti, Bangladeshi, India dhe Algjeria. Këta studentë nga vendet e varfëra afrikane apo edhe aziatike duan të paraqiten në Shqipëri si studentë për të përfituar dokumentacionin për qëndrimin në Shqipëri dhe më pas kalimin në Europë.
Aktualisht, universiteti ende nuk ka një kornizë ligjore të qartë për pranimin e këtyre studentëve, dhe një pjesë e aplikuesve janë në listën e pritjes derisa Ministria e Arsimit të marrë një vendim.
Megjithatë, prania e studentëve të huaj nuk është diçka e re për Gjirokastrën. Përmes programeve Erasmus, universiteti ka pritur prej vitesh studentë nga Spanja dhe Italia, ndërsa studentë nga Lugina e Preshevës gjithashtu studiojnë aty. Degët më të kërkuara nga studentët e huaj janë ato që lidhen me turizmin dhe historinë.
Në anën tjetër, edhe pse asnjë degë nuk është mbyllur deri tani, degët e mësuesisë mbeten në rrezik për shkak të numrit të ulët të regjistrimeve. Disa prej tyre kanë vetëm një ose dy studentë dhe po presin regjistrime të tjera në fazat e ardhshme.