Hezbollah ka konfirmuar se kleriku Hashem Safieddine, i cili pritej të bëhej lideri i ardhshëm i grupit, është vrarë në një sulm ajror izraelit rreth tre javë më parë.
Ushtria izraelite njoftoi të martën në mbrëmje se Safieddine u vra në një sulm në periferi të jugut të Bejrutit. Të mërkurën, Hezbollah dha një deklaratë ku e përshkruante Safieddine si “një udhëheqës të madh dhe një martir të madh” që jetoi një jetë “të nderuar”.
Safieddine ishte kreu i Këshillit Ekzekutiv të Hezbollahut dhe kushëriri i ish-sekretarit të përgjithshëm, Hassan Nasrallah, i cili u vra në një sulm ajror izraelit në Bejrut më 27 shtator.
Pas vdekjes së Nasrallah-ut, Safieddine mori një rol udhëheqës brenda Hezbollahut dhe pritej të zgjidhej si sekretari i ardhshëm i përgjithshëm, megjithëse ende nuk kishte një njoftim zyrtar.
Izraeli kreu një seri sulmesh ajrore pranë aeroportit të Bejrutit më 4 tetor, pas të cilave zyrtarët e Hezbollahut thanë se kishin humbur kontaktin me Safieddine. Mediat amerikane, duke cituar zyrtarë izraelitë, raportuan se ai ishte objektivi i bombardimeve.
Të martën, Forcat e Mbrojtjes Izraelite (IDF) deklaruan se Safieddine ishte vrarë së bashku me Ali Hussein Hazima, të cilin e përshkruan si komandant të Inteligjencës së Hezbollahut. Izraeli e akuzoi Safieddine për drejtimin e “sulmeve terroriste kundër shtetit të Izraelit” për vite me radhë dhe për pjesëmarrje në proceset vendimmarrëse të grupit.
Hezbollah është një organizatë ushtarake, politike dhe sociale që ka fuqi të konsiderueshme në Liban, por cilësohet si një grup terrorist nga Izraeli, SHBA, Mbretëria e Bashkuar dhe disa vende të tjera.
Safieddine vetë u shpall "terrorist" nga SHBA dhe Arabia Saudite në vitin 2017. Ai kreu studimet fetare në Iran dhe djali i tij është i martuar me vajzën e gjeneralit iranian Qasem Soleimani, i cili u vra në një sulm ajror amerikan në Irak në vitin 2020.
Izraeli nisi sulmet kundër Hezbollahut pas gati një viti tensione kufitare të shkaktuara nga lufta në Gaza, me qëllim që të mundësojë kthimin e sigurt të banorëve të zonave kufitare të zhvendosura nga sulmet me raketa dhe dronë nga Hezbollah.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Libanit, gjatë vitit të fundit, të paktën 2500 libanezë kanë humbur jetën dhe afërsisht 12 mijë të tjerë janë plagosur. Ndërkohë, Hezbollah ka sulmuar Izraelin me mijëra raketa dhe dronë, ku janë vrarë të paktën 59 persona në veri të Izraelit dhe në Lartësitë e Golanit.