GJKKO-ja lë në qeli ish-Presidentin

Shkruar nga: A Gjoni | Publikuar më: 23.10.2024, 18:24

Kërcënimet dhe shantazhet e ish-presidentit Ilir Meta duket se nuk kanë bërë efekt në gjykatë.

Pas një seance katër orëshe, gjyqtari Erjon Çela vendosi që Meta të vazhdojë të qëndrojë në qeli, duke refuzuar të ndryshojë masën e sigurisë. Ndërkohë, bashkëpunëtorët e tij, Monika Kryemadhi, Ema Çoku dhe Pirro Xhixho, do të hetohen në detyrim paraqitje, me Xhixhon që kalon nga arresti në shtëpi.

Seanca gjyqësore për ish-presidentin Ilir Meta dhe tre bashkëpunëtorët e tij u planifikua për në mëngjes, por u shty pasi ai kërcënoi prokurorët. Gjatë përballjes me kreun e SPAK, Altin Dumani, Meta përdori tone të ashpra dhe ofendoi atë me terma të tillë si “Dum duman” dhe “Qen”, duke i thënë gjithashtu “Këtu ta kam, mbajë mend çfarë kam për të të punuar”.

Meta është arrestuar për tri akuza: pastrimin e parave, fshehjen e pasurisë dhe korrupsionin, me SPAK që ka siguruar prova se ai ka abuzuar me dosjen CEZ-DIA dhe me shtrimin e fibrave optike. Po ashtu, janë zbuluar fshehje të pasurisë dhe shpenzime luksi nga ana e tij, të cilat nuk justifikohen.

Detajet e dosjes

Sipas SPAK, janë dokumentuar disa episode ku subjektet e këtij procedimi penal I.M. dhe M. K. në bashkëpunim mes tyre por edhe me funksionarë të tjerë publikë janë përfshirë në kryerjen e disa veprave penale.

1- Është provuar se ish-Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, I. M., ka përdorur autoritetin dhe influencën e tij për të ndërhyrë në procesin e lidhjes së kontratës ndërmjet shoqërisë “Debt International Advisory” dhe kompanisë CEZ Shpërndarje. Kjo kontratë kishte për objekt asistimin në identifikimin dhe arkëtimin e borxheve të prapambetura.

Këto marrëdhënie ngushtësisht të ndërlidhura kanë ndikuar drejtpërdrejtë në procesin e përzgjedhjes së DIA-s për të kryer shërbimet e mbledhjes së borxheve të CEZ-it, pavarësisht se shoqëria nuk përmbushte të gjitha kriteret ligjore dhe profesionale për të menaxhuar detyrime të kësaj natyre.

Shoqëria “Debt International Advisory”, përmes kësaj marrëveshjeje ka përfituar në mënyrë të parregullt shumën prej 649,803,520 lekësh, e cila është konfirmuar nga një vendim gjyqësor i formës së prerë.

Hetimet e deritanishme kanë zbuluar se I.M. ka kërkuar dhe pranuar shuma të konsiderueshme parash nga z. K. I., gjatë periudhës kur ai mbante funksionin e Ministrit, detyrë e cila përfshinte mbikëqyrjen e procesit të privatizimit të CEZ-it dhe lidhjen e kontratave për mbledhjen e borxheve, duke konsumuar kështu elementët e veprës penale të “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal.

2- Nga hetimet ka rezultuar se shtetasi I. M. në sajë të funksionit të tij si Kryetar i Kuvendit dhe bashkëshortja e tij, M. K. si deputete e Kuvendit, në vitin 2014 kanë përdorur influencën e tyre duke ndikuar tek drejtuesit e institucioneve të ndryshme shtetërore si dhe tek drejtuesit e kompanive të telefonive celulare, me qëllim futjen në tregun e fibrave optike si dhe lidhjen e marrëveshjes së interkonjeksionit midis kompanisë “U… C… INC” dhe një kompanie private telefonike celulare.

Si rezultat i kësaj influence të paligjshme subjektet në hetim I.M dhe M.K. kanë përfituar pjesën e tyre në përqindje nga fitimi i kompanisë, dhe janë pajisur me karta krediti nga administratori i shoqërisë. Shpenzimet e kryera nëpërmjet këtyre kartave, nuk janë deklaruar në deklaratat periodike të pasurive nga të hetuarit.

Personi nën hetim P. Xh., duke shfrytëzuar autoritetin e tij si Kryetari i AKEP, i zgjedhur nga Kuvendi i Shqipërisë me propozimin e subjektit politik “Lëvizja Socialiste Për Integrim” (LSI), në zbatimi të porosive të marra nga subjektet I. M. dhe M. K., jo vetëm ka ndikuar tek drejtuesit e kompanisë telefonike celulare për finalizmin e marrëveshjes por nga ana tjetër, ka lejuar kompaninë private të ushtrojë aktivitetin e saj në shkelje të ligjit të AKEP. Për këto arsye, personat nën hetim I.M. dhe M.K. ka dyshime se kanë konsumuar veprën penale të “Korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve”, në bashkëpunim, të ndihmuar edhe nga personi tjetër nën hetim P. Xh., i cili akuzohet për të njëjtën vepër penale.

3- Gjatë hetimit ka rezultuar gjithashtu se çifti I.M. dhe M.K., kanë hyrë në marëdhënie korruptive me biznesmenin S.M., duke përfituar përkohësisht një vilë si shpërblim për influencën e paligjshme që ata ushtronin ndaj funksionarëve publikë të emëruar nga LSI, në interes të aktiviteteve ekonomike të bizmesmenit në fjalë. Personi nën hetim M.K., me porosi të biznesmenit në fjalë, ka marrë përsipër edhe ndryshimin e një ligji në Kuvendin e Shqipërisë (ligj i cili u ndryshua sipas kërkesës së biznesmenit S.M.).

4- Përgjatë periudhës 2016-2017, I. M. me cilësinë e Kryetarit të Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, ka lidhur dhe ekzekutuar kontrata për shërbimi konsulence dhe lobimi me kompanitë Global Security and Inovative Solution LLC dhe Grupi McKeon Inc në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nga hetimi rezulton se një pjesë e financimit të kontratave është bërë me transferta bankare nga llogaritë e subjektit politik, Lëvizja Socialiste për Integrim, ndërkohë që shuma prej 463.546,26 USD nuk është transferuar nga llogaritë bankare të këtij subjekti politik. Po kështu rezulton se kjo shumë monetare, e cila nuk është transferuar nga llogaritë bankare të forcës politike nuk është pasqyruar në bilancet e subjektit politik Lëvizja Socialiste për Integrim, të depozituara pranë Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve.

5- Për peridhën 2009-2010, nga ana e personave nën hetim, I. M., M. K. dhe F. K., është blerë, një apartament dublex me vendndodhje në zonën e njohur si “ish bllok”, i deklaruar si i finacuar me kredi bankare. Nga hetimi ka rezultuar se shuma prej 310,000 Euro që kanë shërbyer për blerjen e katit të parë të dublex, janë derdhur Cash në sistemin bankar nga F. K., dhe shuma 335,000 Euro e marrë kredi nga F. K., është shlyer gjithashtu me para të depozituara në bankë të nivelit të dytë në Republikën e Shqipërisë, në Mars-Nëntor 2010. Këto para dyshohet se kanë origjinën nga aktiviteti i paligjshëm i shtetasve I.M. dhe M.K. si dhe kredia bankare është përdorur si mbulesë dhe mënyrë për të futur në sistemin bankar shuma të konsiderueshme monetare.

6- Nga hetimi ka rezultuar se shtetasit I.M. dhe M.K. nuk kanë deklaruar shpenzimet mjekësore të kryera gjatë periudhës 2013-2019, në vlerën totale prej 106.125 Euro. Nga këto shpenzime, 86.891 Euro janë paguar në cash. Hetimet kanë zbuluar se në deklaratën e Interesave Private Vjetore për vitin 2019, të dorëzuar në ILDKPKI më 29 Maj 2020, këta subjekte nuk kanë deklaruar shpenzimet shëndetësore në vlerën prej 9.000 Euro të kryera në një klinikë private jashtë vendit si dhe dhe shumën 100.000 Euro në llogarinë bankare dy emërore, të cilat i përkasin E.M. dhe F. K. Subjektet I.M. dhe M. K. dyshohet se kanë konsumuar veprën penale “Refuzimit për deklarim, mosdeklarimi, fshehja dhe deklarimi i rrëmë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë” parashikuar nga neni 275/a të Kodit Penal.

Prokuroria e Posaçme ka kryer hetime në kuadër të procedimeve penale nr. 55 të vitit 2019 (dërguar për kompetencë nga Prokuroria për Krime të Rënda), 122 të vitit 2022 (regjistruar mbi bazën e kallëzimit të shtetasit I.B.), 125 të vitit 2022 (regjistruar mbi bazën e kallëzimit të shtetasit H.V.), 165 të vitit 2022 (regjistruar mbi bazën e kallëzimit të shtetasit I.B.), të cilët janë bashkuar në një procedim të vetëm duke u numërtuar procedimi penal nr.55/2019.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit