Sllovakia planifikon mbylljen e zyrës ndërlidhëse në Kosovë në fund të vitit

Shkruar nga: N Hoxha | Publikuar më: 23.10.2024, 12:03

Sllovakia, vend që ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, ka vendosur të mbyllë Zyrën e saj Ndërlidhëse në Prishtinë më 31 dhjetor të këtij viti. Ky hap është një pjesë e riorganizimit të përgjithshëm diplomatik të Sllovakisë, e cila po mbyll gjithashtu ambasadat e saj në Danimarkë dhe Norvegji, si dhe disa konsullata në Krakovë dhe Shën Petersburg.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës (MPJD) ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë se ky vendim është për shkak të një ristrukturimi të brendshëm të rrjetit diplomatik të Sllovakisë. Sipas MPJD-së, këto ndryshime janë të zakonshme kur shtetet përshtatin strategjitë e tyre diplomatike për t'u përballur me resurset e kufizuara.

Në platformën online të Zyrës Ndërlidhëse të Sllovakisë në Prishtinë thuhet se, edhe pas mbylljes, shërbimet për qytetarët sllovakë dhe marrëdhëniet diplomatike do të menaxhohen përmes ambasadave sllovake në vendet fqinje.

MPJD-ja e Kosovës, ndërkaq, vë theksin se pavarësisht këtij zhvillimi, Kosova mbetet e angazhuar për të avancuar marrëdhëniet me Sllovakinë, nëpërmjet formave të ndryshme të bashkëpunimit, qoftë në nivel rajonal, evropian apo global.

Sllovakia është një nga pesë shtetet e Bashkimit Evropian që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, bashkë me Spanjën, Qipron, Greqinë dhe Rumaninë. Bratisllava ruan lidhje të mira me Serbinë, të cilën e sheh si partner të rëndësishëm në Ballkanin Perëndimor.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit