Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) ka shprehur mbështetjen e vazhdueshme për përpjekjet e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit në Shqipëri (SPAK) pas arrestimit të ish-presidentit Ilir Meta. Një zëdhënës i DASH, duke folur për Zërin e Amerikës, theksoi qëndrimin e Uashingtonit për të mbështetur avancimin e Shqipërisë drejt sundimit të ligjit.
"Jemi në dijeni të arrestimit të Metës. Për detaje të mëtejshme, ju referojmë tek autoritetet shqiptare," tha zëdhënësi, duke nënvizuar rëndësinë e nismave të SPAK në ndjekjen penale të korrupsionit të niveleve të larta dhe krimit të organizuar, gjithnjë në përputhje me ligjin.
Ilir Meta, i cili kryeson Partinë e Lirisë, u arrestua më 21 tetor me urdhër të SPAK-ut. Akuzat ndaj tij përfshijnë korrupsionin, pastrimin e parave dhe fshehjen e pasurisë. Arrestimi i tij shënon një hap tjetër në përpjekjet e Shqipërisë për të forcuar shtetin ligjor dhe për të luftuar korrupsionin në rangje të larta.