Studentët në universitetin “Aleksandër Xhuvani” denoncojnë mungesën e organizimit

Shkruar nga: N Hoxha | Publikuar më: 23.10.2024, 11:50

Studentët e programeve të faklulteteve të ndryshme të universitetit "Aleksandër Xhuvani" në Elbasan kanë shprehur shqetësimet e tyre lidhur me mungesën e organizimit dhe ndihmës nga ana e stafit administrativ.

"Po vij nga rrethet, në një kohë kur shumë studentë po largohen. Ne që jemi regjistruar në programe studimi dhe ndihemi të shpërfillur; sekretaret na injorojnë dhe as që marrin mundimin të na ndihmojnë kur kërkojmë informacione. Kur kërkojmë ndihmë, as nuk afrohen tek sporteli", tha një studente e regjistruar në një nga programet në fakultetin e Shkencave të Natyrës.

Një tjetër student i fiskulturës shtoi: "Është një kaos i vërtetë. Jam regjistruar për herë të parë dhe nuk di ku zhvillohen leksionet, ku ndodhet klasa dhe kë duhet të kontaktoj. Kjo situatë e bën procesin shumë të vështirë dhe stresues."

Ndërsa një student masteri tregoi: "Kam ardhur nga Tirana disa herë. Kur përpiqemi të marrim informacion, na thonë të takohemi në kafe. Korrektësinë tonë e shohin si dobësi dhe bezdisen sa herë pyesim. Jam lodhur aq shumë sa që nuk më shtyhet më të vij në shkollë."

Studentët po ashtu kanë bërë të ditur se, ndonëse u është premtuar që informatat do t'u dërgohen me telefon, deri më tani nuk kanë marrë asnjë thirrje ose lajmërim.

Studentët kërkojnë që universiteti të ofrojë një sistem më të organizuar dhe mbështetës që të lehtësojë përvojën e tyre akademike dhe administrative. Të rinjtë janë shpresa e së ardhmes, dhe është thelbësore që mundësitë e tyre të arsimimit të mos kufizohen nga probleme të menaxhimit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit