Arrestohen tre të rinj shqiptarë në Itali

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 22.10.2024, 21:52

Tre të rinj shqiptarë janë arrestuar nga Guardia di Finanza në Rimini të Italisë, pasi u kapën me 3.7 kilogramë kokainë, nga tregtimi i së cilës do të përfitonin rreth 150 mijë euro, raportojnë mediat italiane.

Një patrullë me efektivë civilë e njohur si 'Fiamme Gialle', pikasi një automjet tip Smart, në pronësi të një shqiptari 31-vjeçar, i njohur më parë për vepra penale si përvetësim i mallrave të vjedhura, mbajtje e armëve të paligjshme dhe posedim të dokumenteve false.

'Fiamme Gialle' filluan ta ndiqnin automjetin, derisa drejtuesi i saj, një shqiptar 25-vjeçar nga Cesena, u ndal pranë një banese. Autoritetet e ndaluan për t’i kërkuar dokumentet, por në momentin që pa shenjat dalluese të tyre, ai u largua me vrap, duke u strehuar në një apartament brenda ndërtesës.

Pas një insistimi të gjatë, Fiamme Gialle arritën të hapnin derën. Brenda apartamentit, përveç 25-vjeçarit, u gjetën edhe dy shtetas të tjerë shqiptarë: një moshatar i të arratisurit dhe një 31-vjeçar.

Gjatë momentit të hyrjes së efektivëve të Guardia di Finanza, drejtuesi i mjetit u fut në dhomën e gjumit, ku më pas hapi dritaren dhe hodhi jashtë dy qese plastike. Efektivët më pas i morën qeset, brenda të cilave gjetën 27 pako me kokainë, me një peshë totale prej 3.7 kilogramësh. Gjithashtu u gjet një thikë e përdorur për substancat narkotike, dy peshore precize dhe materiale për paketimin e drogës.

Në apartament u kërkua ndihma e qenve antidrogë për të kontrolluar më tej, por nuk u gjetën substanca të tjera. Megjithatë, gjatë kontrollit, Guardia di Finanza gjeti 5700 euro cash, që u përkisnin tre shqiptarëve.

Gjatë kontrollit të mëtejshëm mbi ta, 31-vjeçarit iu gjetën edhe 3.6 gram kokainë dhe 1 gram marihuanë. Ata u arrestuan menjëherë dhe pas procedurave të zakonshme, u dërguan në burgun “Casetti”. Shqiptarët, të mbrojtur nga avokati Giuliano Renzi, pritet të paraqiten para gjykatësit për konfirmimin e ndalimit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit