Projekti futuristik i Arabisë Saudite do të përdorë 20% të prodhimit global të çelikut

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 22.10.2024, 20:47

Projekti futuristik 'Neom' në Arabinë Saudite pritet të përdorë një të pestën e gjithë prodhimit global të çelikut, sipas drejtuesve të ndërtimit.

Ky projekt gjigant prej 1 trilion dollarësh, që ka nisur në vitin 2017, ndodhet në Provincën Tabuk, në veriperëndim të Detit të Kuq. Neom përfshin disa koncepte të jashtëzakonshme, përfshirë qytetin revolucionar 'The Line', një qytet linear i gjatë 170 km dhe i gjerë vetëm 200 metra, pa makina apo rrugë, ku banorët do të transportohen nëpërmjet një treni.

Në përshkrimin e Neom, thuhet se: "Pa rrugë, makina apo emetime, ai do të funksionojë me energji tërësisht të rinovueshme dhe 95% e tokës do të mbetet e paprekur për natyrën."

Ndërsa përfundimi i plotë i Neom nuk pritet të ndodhë para vitit 2045, një pjesë qendrore prej 5 km pritet të jetë funksionale deri në vitin 2030, sipas raportimeve të Arabian Gulf Business Insight.

Neom gjithashtu do të ketë shumë për t’u ofruar turistëve, përfshirë resortet si Trojena në malet e rajonit dhe destinacionin ishullor Sindalah. Ndërkohë, një zonë industriale lundruese, Oxagon, do të shërbejë si një qendër kërkimore oqeanografike.

Shefja e investimeve të Neom, Manar Al Moneef, gjatë Forumit Global të Logjistikës deklaroi se Neom do të jetë "klienti më i madh" për materialet e ndërtimit në dekadën e ardhshme, duke theksuar se projekti do të përdorë 20% të gjithë prodhimit global të çelikut.

Projekti është pjesë e programit të princit saudit, Mohammed Bin Salman, Vision 2030, i cili synon të diversifikojë ekonominë e Arabisë Saudite dhe të reduktojë varësinë ekonomike nga nafta. Neom do të shtrihet në një sipërfaqe prej 26,500 km2.

Deri më tani, projekti ka marrë 28.7 miliardë dollarë financime, me shumicën që shkojnë drejt qytetit linear The Line.

Fillimisht, projekti synonte të mirëpriste 9 milionë banorë deri në vitin 2030, por sipas Bloomberg, ky numër është rishikuar dhe tani parashikohet që rreth 300,000 njerëz të banojnë atje.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit