Mesditën e sotme, numri i viktimave nga kreditë e këqija mund të shkonte në tre persona. Një grua 58-vjeçare tentoi të vetëdigjej me benzinë. Fatmirësisht, disa kalimtarë në sheshin "Liria" në Durrës ndërhynë menjëherë dhe shuan flakët, duke i shpëtuar jetën. Megjithatë, ajo pësoi disa plagë djegieje në këmbë.
Bëhet fjalë për qyetaren me inicialet F. G., 58 vjeçe nga Durrësi, e cila tentoi të vetëdigjej me benzinë në rrugë për shkak të problemeve ekonomike dhe braktisjes nga fëmijët.
Ajo shpjegoi se kishte marrë kredi nga një institucion financiar dhe po përballej me presionin për t’i paguar borxhet, madje kishte marrë kërcënime për dërgimin në gjyq. Me një pension prej vetëm 90 mijë lekësh, ajo ishte detyruar të marrë kredi për ilaçe, por ndihma kishte munguar, duke e shtyrë të ndërmerrte këtë akt të rëndë.
"Kam kërkuar ndihmë kudo, më bëjnë presion për një kredi, ka 6-7 muaj. Kam qenë e rregullt me pagesën muaj për muaj. Nuk kisha mundësi më, djali e kishte pagën e ulët. Më morën nga mikrokredia që ta paguaja, ose paguaje ose do të çojmë në gjykatë dhe të heqim pensionin. Po më detyroni të bëj një veprim që s’dua ta bëj, u thashë. Shkova një javë rresht te banka. Më mori një djalë i thashë s’kam mundësi ta paguaj, s’më intereson më tha. Kisha për të paguar 200 mijë lekë, për ilaçe e bukë më duheshin se bënin 250 mijë lekë ilaçet. Ndaj dogja veten, më thanë që më kanë çuar në gjykatë. 1 milion pata marrë. Këtu bashkia s’na jep asgjë, pse na përçmojnë ne? 90 mijë lekë pension, nuk na del, jam me qira. I kam 600 mijë lekë edhe pronarit. Jetoj vetëm me djalin. Punon djali, me 450 mijë lekë. Kam borxhe të tjera, qira, kredi. Edhe 2020, te bashkia s’më japin asnjë lloj drejtimi, ndaj mora kredi. S’kam bukë, s’kam ushqim, të më ndihmojnë me kredinë, për qiranë,"-tha ajo.
Shumë njerëz kanë rënë pre e njoftimeve për kredi në zyra që duken si banka. Këto institucione ofrojnë kredi me norma të larta dhe pa asnjë filtër, duke krijuar iluzionin e mundësive financiare. Mungesa e mbështetjes ka çuar në një kalvar abuzimesh dhe kredi të këqija.
Çështja po hetohet nga SPAK, dhe situata është e rëndë, duke rezultuar në dy vetëvrasje. Njëri nga viktimat ishte Pal Trashaj, i cili u vetëflijua para SPAK, ndërsa Olsi Ibro, një pronar i MCA, u hodh nga një ndërtim.