Shqipëria humb në lirinë ekonomike për të tretin vit

Shkruar nga: N Hoxha | Publikuar më: 22.10.2024, 09:16

Shqipëria po përballet me një rënie të lirisë ekonomike për të tretin vit në vazhdim, duke humbur 7 pozita sipas raportit të Institutit Fraser, i publikuar së fundmi. Kjo rënie lidhet kryesisht me çështje të sistemit ligjor, të drejtave të pronësisë, mungesës së pavarësisë së gjyqësorit, si dhe kostove të larta të burokracisë dhe rregullave të pasigurt të punësimit.

Edicioni i vitit 2024 i raportit, që bazohet në të dhëna nga viti 2022, vlerëson Shqipërinë me 7.48 pikë nga 10. Kjo e rendit vendin në vendin e 38 nga 165 juridiksione globale, një ulje nga vendi i 31 në edicionin e kaluar dhe vendi i 30 në raportin e vitit 2022. Vlerësimet burojnë nga pesë fushat kryesore:

  • Madhësia e Qeverisë: 7.81 pikë
  • Sistemi Ligjor dhe të Drejtat e Pronësisë: 5.43 pikë
  • Stabiliteti Monetar: 8.76 pikë
  • Liria e Tregtisë Ndërkombëtare: 8.53 pikë
  • Zbatimi i Rregullave: 6.9 pikë

Po ashtu, liria ekonomike globale është ulur për të tretin vit radhazi, që sipas Matthew Mitchell nga Instituti Fraser, nuk ka ndodhur që nga fillimi i matjes së këtij indikatorit më shumë se 25 vjet më parë.

Liria ekonomike, e cila i referohet mundësisë së individëve për të marrë vendime të pavarura ekonomike, është thelbësore për mirëqenien e një vendi. Ajo mat hapjen ndaj tregtisë, taksat, barrën rregullatore, shpenzimet qeveritare dhe stabilitetin monetar.

Në vitin 2022, Hong Kongu ishte juridiksioni me lirinë më të lartë ekonomike, ndjekur nga Singapori dhe Zvicra. Në anën tjetër, vendet me lirinë më të ulët përfshijnë Jemenin, Libinë dhe Venezuelën. Njerëzit në vende me liri ekonomike të lartë gëzojnë prosperitet më të madh dhe cilësi më të mirë të jetës.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit