JOQ Albania ka siguruar videon e arrestimit të ish-deputetit të Partisë Socialiste, Jurgis Çyrbja. Në video, ai shihet me pranga në duar dhe me kokën ulur, teksa shoqërohet nga dy efektivë të policisë.
Çyrbja u arrestua nga SPAK mbrëmjen e 20 tetorit 2024 nën akuzat për lidhje me grupe kriminale. Sipas hetimeve, ai akuzohej për "korrupsion aktiv zgjedhor", "përkrahje e autorit të krimit" dhe "tregtimin e sekretit shtetëror".
Një ndër akuzat kryesore ishte strehimi i Altin Hajrit, pronar i kompleksit Golden në Shijak, i cili ka qenë në kërkim prej katër vitesh si organizatori i rrëmbimit dhe vrasjes së Jan Prengës në janar të vitit 2020.
Gjithashtu, hetimet treguan se Çyrbja ka pasur lidhje të ngushta me individë të përfshirë në aktivitete kriminale, të cilët e kanë ndihmuar atë për t’u futur në listat e kandidatëve për deputetë dhe për të fituar mandatin.
Këto lidhje u zbuluan nga komunikimet e kapura në platformën e koduar SKY ECC, të cilat kanë qenë prova kyçe në zbardhjen e veprimtarisë së tij.