Për shumë njerëz, blerja e një makine elektrike "Tesla" duket si një investim i mençur. Megjithëse ky mjet ka një kosto të lartë, kursimet afatgjata janë të mëdha, sidomos në karburant. Për më tepër, ka përfitime mjedisore pasi një makinë elektrike ndihmon në reduktimin e ndotjes.
Sipas statistikave të AAA, mesatarja kombëtare e çmimit të karburantit në SHBA është $3.175 për gallon. Për një makinë me kapacitet 14 gallon, do të shpenzonit rreth $45 për mbushjen e plotë të rezervuarit. Por për një Tesla, shpenzimet për një mbushje të plotë në shtëpi shkojnë rreth $14, që ofron përshkimin e një distance 303 deri në 405 milje.
Megjithatë, për Johnny Bacigalupo dhe Rob Hussey, pronarë të një Tesla me vlerë $78,000 në Edinburg të Skocisë, kursimet u shndërruan në një faturë të frikshme riparimi prej $22,627 pas një stuhie të rëndë.
Çfarë ndodhi? Pasi parkuan makinën gjatë një nate me shi në 'Frederick Street', ata nuk arritën ta ndiznin pas darkës. Makina u bllokua dhe, pas pesë orësh pritje për Tesla Roadside Assistance, ajo u rimor në orën 1 të mëngjesit. Më pas, ata morën një telefonatë nga Tesla që i la të tronditur, ku mësuan se bateria e makinës ishte zhytur në ujë.
Bacigalupo tregoi për Edinburgh Live: "Nuk mund ta besoja atë që ndodhi. Kur na erdhi fatura prej mbi 17,000 paund (rreth $22,000), ishte absurde. Pritshmëria ime ishte për një kosto prej 500 deri në 1000 paund."
Edhe pse Tesla e pranoi që moti i keq në Skoci kishte shkaktuar dëmin, kompania refuzoi të mbulojë riparimin në kuadër të garancisë, duke përmendur paralajmërimet për motin e keq në zonë si arsye.