Rimerret nisma ligjore për njohjen e viteve të punës për ata që kanë punuar në kooperativa dhe ndërmarrje

Shkruar nga: A Gjoni | Publikuar më: 20.10.2024, 17:00

Të gjithë qytetarët që kanë punuar në ish-kooperativat dhe ndërmarrjet, por nuk e kanë të dokumentuar, do të kenë mundësi të njohin vitet e punës pa kaluar përmes gjykatave.

Ministria e Ekonomisë është duke punuar aktualisht për një projektligj që synon njohjen e këtyre viteve të punës nga mosha 18 vjeçare deri në tetor 1993 për ndërmarrjet shtetërore, tetor 1992 për ato bujqësore dhe korrik 1991 për kooperativat. Kjo mund të sjellë mungesën e deri 14-16 viteve pune për burrat dhe 11-13 vite për gratë.

Miratimi i projektligjit do të mundësojë njohjen e periudhave të sigurimit pa pengesa procedurale dhe pa shpenzime për përfituesit. Po ashtu, do të mundësojë përfitimin e një pensioni minimal, sa masa e pensionit social.

Regjistrat e këtyre kooperativave dhe ndërmarrjeve shpesh kanë qenë të mangët ose nuk janë dorëzuar fare. Disa regjistra janë shkatërruar gjatë trazirave të vitit 1997. Nëse ligji do të ketë efekt prapaveprues, ai do të krijojë një kosto të lartë financiare. Kostoja arrin në 1.7 miliardë lekë në vit për ata që kanë punuar në kooperativat bujqësore dhe 5.2 miliardë lekë për ata në ndërmarrjet shtetërore.

Procedura për njohjen e kontributeve kërkon që individët të vërtetojnë se kanë qenë banorë të territoreve ku ka patur kooperativa dhe ndërmarrje. Gjithashtu, ata nuk duhet të kenë qenë në burg ose të kenë përfituar pension të plotë invaliditeti.

Deklarimi i rremë i kohës së punësimit në këto kooperativa përbën vepër penale dhe dënohet sipas legjislacionit në fuqi.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit