Mbrojtësi i Kombëtares Shqiptare, Mario Mitaj, po kalon një periudhë të jashtëzakonshme në karrierën e tij, duke u shfaqur në formë të shkëlqyer si në Kombëtaren e Shqipërisë, ashtu edhe në klubin e tij të ri, Al Ittihad në Arabinë Saudite.
Pas një paraqitjeje fantastike në fitoren 0-1 të Shqipërisë ndaj Gjeorgjisë, ku u dallua si një nga lojtarët më të mirë në fushë, Mitaj shkëlqeu sërish, por këtë herë me golin e tij të parë në kampionatin saudit.
Mbrojtësi 21-vjeçar realizoi golin e tretë për Al Ittihad në minutën e 81-të, në një ndeshje që përfundoi me fitoren 3-1 ndaj Al Qadisiya.
Mbrojtësi shqiptar i befasoi të gjithë teksa "vallëzoi" me topin mes katër kundërshtarëve, për të dërguar më pas topin në rrjetë, duke vulosur rezultatin për ekipin e tij.
Golat e tjerë për Al Ittihad u shënuan nga Karim Benzema në minutën e 7-të dhe Moussa Diaby në minutën e 68-të, ndërsa për miqtë realizoi Pierre-Emerick Aubameyang në minutën e 20-të.
Me këtë gol dhe formën e tij aktuale, Mario Mitaj po konfirmohet si një lojtar kyç për ekipin e tij dhe një aset i vlefshëm për Kombëtaren shqiptare.