Një apel prekës për ndihmë ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania nga psikologia Nereida Llaha, e cila kërkon ndihmën e shqiptarëve për 11-vjeçarin Aldo Skeja, i cili është djali i shkrimtarit dhe poetit Hamdi Skeja.
Aldo vuan nga një sëmundja e rëndë "Mielomeningocele", dhe për të shpëtuar jetën e tij, familja ka nevojë për ndihmë financiare për operacionet jetësore të nevojshme. Psikologia e përshkruan gjendjen e Aldos si kritike dhe thekson se Hamdiu, një njeri fisnik dhe krenar, nuk do ta bënte kurrë këtë kërkesë për ndihmë nëse nuk do të ishte në një situatë të tillë të dëshpëruar.
Apeli i psikologes: "Mirmëbrema. Ndjesë për shqetësimin. Unë jam psikologe, Nereida Llaha. Ju lutem me zemër të merrni në konsideratë thirrjen e një babai për ndihmë ndaj djalit të tij. Gjendja e djalit është kritike. Kam besim se një thirrje nga platforma juaj do të ndihmonte shumë."
Babai i Aldos, Hamdi Skeja, ka publikuar gjithashtu një apel për ndihmë në GoFundMe, ku përshkruan betejat e vështira që ka kaluar me djalin e tij, që nga lindja dhe operacionet e shumta në spitale në Shqipëri, Greqi, Francë dhe Turqi. Ai shpjegon se në çdo përpjekje për të gjetur trajtime ka hasur në pengesa financiare, duke përmendur edhe dështimin e përpjekjeve të Ministrisë së Shëndetësisë për të mbuluar shpenzimet e trajtimeve jashtë vendit.
Apeli i babait të Aldos: "Ju përgjërohem, mos më lini vetëm. Edhe një cent do të vlerësohet shumë. Djali im Aldo ka nevojë për ekzaminime dhe operacione urgjente në shtyllën kurrizore dhe fshikëzën e urinës. Çfarë ka shkruar Zoti më pas, atë e di vetëm ai."
Familja e Aldos është në një moment kritik dhe kërkon ndihmën e çdo shqiptari për të ndihmuar vogëlushin 11-vjeçar në këtë betejë të gjatë dhe të vështirë.