Një apel për ndihmë ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania, ku familja e një të riu shqiptar në Itali kërkon ndihmën e shqiptarëve për shpenzimet spitalore pas një sulmi brutal që e la atë në gjendje kome.
Paolo Sarullo, 23 vjeç, u sulmua dhe u grabit në maj të këtij viti në Genova të Italisë. Grabitësit i vodhën skuterin elektrik 23-vjeçarit dhe më pas e shtynë atë pabesisht. Nga rrëzimi, ai mori një traumë të rëndë në kokë.
Pas disa operacioneve, ai vijon të jetë i shtruar në spital dhe ka nevojë për trajtime të specializuara. Fatkeqësisht, familja e tij nuk ka mundësi të mbulojë kostot e larta mjekësore.
Kushëriri i Paolos ka dërguar një mesazh në redaksinë e JOQ Albania ku kërkon ndihmë, ndërsa tregon për gjendjen e rënduar të nënës së 23-vjeçarit. Ai shprehet se Paolo është fëmija i saj i vetëm.
Mesazhi i kushëririt të tij:
"Përshëndetje JOQ, kam nevojë për ndihmën tuaj, ju lutem. Para disa muajsh, kushëriri im u dhunua dhe u grabit brutalisht në Genova, Itali. Pas shumë operacioneve, ai vazhdon të jetë në koma. Mundësitë tona financiare kanë arritur në limit. Ju lutem, nëse keni mundësi, ndihmoni duke shpërndarë apelin tonë për ndihmë. Paolo është vetëm 23 vjeç dhe nuk kemi më mundësi për ta mbështetur financiarisht. Tezja ime ka pësuar një gjendje të rëndë, pasi është i vetmi fëmijë që ka."
Familja ka hapur një faqe GoFundMe ku kërkojnë ndihmë për të përballuar shpenzimet e nevojshme për trajtimin e Paolos.
Çdo ndihmë, sado e vogël, do të jetë një mbështetje e madhe për Paolon dhe familjen e tij në këtë periudhë të vështirë për ta.