Një seri aksidentesh ka tronditur zonën e Shkozës ditën e sotme, ku brenda vetëm 20 minutash janë regjistruar dy aksidente automobilistike në të njëjtin vend, pranë rrethrrotullimit të ri që të çon drejt qendrës tregtare TEG.
Sipas një mesazhi të ardhur në redaksinë e JOQ Albania, njëri nga aksidentet ishte veçanërisht i rrezikshëm, pasi një makinë përfundoi duke "fluturuar në ajër" përpara se të binte, fatmirësisht, në bordurën pranë lumit Lana, dhe jo brenda saj. "Nuk e di, por në këtë aksidentin e fundit isha përqëndruar me sy tek makina kur e pashë duke fluturuar në ajër," shkruan dëshmitari.
Fatmirësisht, shoferja e përfshirë në aksident ishte e vetme në makinë dhe u transportua menjëherë për në spital nga një ambulancë që mbërriti në vendngjarje. Kalimtarët u mobilizuan për të ndihmuar të aksidentuarën, duke shmangur përkeqësimin e situatës.
Ende nuk dihet arsyeja e saktë e këtyre përplasjeve, por banorët dhe drejtuesit e makinave po shprehin shqetësime për sigurinë në këtë rrethrrotullim të ri, që duket se po bëhet një pikë e rrezikshme për aksidente.