Pas disa orësh ankthi dhe kërkimesh, familjarët kanë konfirmuar se gjyshi Enver Bushati, 85 vjeç, është gjetur dhe është kthyer shëndoshë e mirë pranë familjes së tij.
Enveri, banues në lagjen Manush Alimani të Shkodrës, vuante nga Alzheimer dhe ishte zhdukur në orët e mëngjesit, duke shqetësuar të afërmit e tij.
Lajmin për humbjen e gjyshit e bëri publik nipi i tij, i cili i shkroi redaksisë sonë në kërkim të ndihmës. Ai tregoi se gjyshi ishte larguar rreth orës 10:00, i veshur me xhup jeshil, tuta të zeza dhe pantofla ngjyrë krem, duke theksuar frikën se për shkak të gjendjes së tij shëndetësore nuk do të dinte të gjente rrugën për në shtëpi.
Falë ndihmës së qytetarëve dhe përpjekjeve të familjarëve, Enveri u gjet në gjendje të mirë dhe tashmë është sërish pranë njerëzve të tij. Familja ka shprehur mirënjohjen për të gjithë ata që kontribuuan në kërkime dhe dhanë informacion për ta kthyer atë të sigurt në shtëpi.