Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, ka thënë se në pikën kufitare të Merdares, e vetmja të cilën Qeveria e Kosovës e hapi për të kaluar mallrat nga Serbia, “ka nervozizëm” dhe se inspektimet po zgjasin shumë.
Për kryeministrin Albin Kurti, Vuçeviq tha se ai “është nervoz për zgjedhjet e planifikuara për 9 shkurt të vitit të ardhshëm, si dhe për zgjedhjet amerikane” që, sipas tij, do të përcaktojnë fatin e botës dhe gjeopolitikës në të paktën katër, e ndoshta edhe dhjetë vitet e ardhshme.
“Kurti vazhdon të krijojë kushte që serbët të mos jetojnë normalisht në Kosovë”, vazhdoi Vuçeviq propagandën.
Ai tha se është “një gjë e mirë që sërish lejohet hyrja e mallrave nga Serbia në Kosovë, por që në praktikë është e vështirë të realizohet, sepse vetëm vendkalimi Merdare është i hapur”, ka thënë ai.
“Inspektimet zgjasin me qëllim, krijon nervozizëm dhe vështirëson hyrjen e mallrave serbe në Kosovë”, tha Vuçeviq, duke shtuar se në këtë mënyrë “anulohet ajo që është rënë dakord dhe është nënshkruar në Berlin”.
“Ne presim që të hapen vendkalimet Jarinje dhe Bërnjak. E gjitha kjo është një lojë durimi, lëvizje të vogla në një lojë të madhe”, pretendoi Vuçeviq.