Sipas denoncimeve dhe raportimeve të fundit në JOQ News, Mariglen Disha dhe Ministria e Rinisë po inspektojnë pallatet e reja dhe zhvillojnë takime për buxhetimin me pjesëmarrje në lagjet e Librazhdit. Megjithatë, nëse pyet qytetarët e Librazhdit, shumë prej tyre nuk e kuptojnë domethënien e këtyre inspektimeve, ndërsa pjesa më e madhe e atyre që i ndjekin janë fotografë dhe adminstrata.
Librazhdi përballet me sfida të mëdha:
Pallatet e reja – Pallate për drejtuesit: Me disa tendera të dyshimtë dhe të paqartë për mënyrën si janë realizuar, disa pallate janë lyer dhe izoluar me shkumë deti dhe sistem kapot nga jashtë dhe brenda. Thuhet se këto pallate janë rregulluar për t'u dukur bukur pasi aty do të kalojë superstrada Elbasan – Qafë Thanë. Por raportimet e qytetarëve tregojnë se disa prej tyre janë zgjedhur padrejtësisht. Pallatet e rikonstruktuara përfshijnë atë të drejtorit të sigurimeve, të punëve publike dhe administratorit, ndërsa për të tjerët si të moshuar, të sëmurë dhe pensionistë, bashkia nuk ndërhyn për të rregulluar tarracat. "Jam astmatike dhe mbase duhet të pres zgjedhjet që kryetari të fillojë të veprojë," thotë një qytetare.
Spitali i Librazhdit pa ilaçe: Një tjetër denoncim vjen nga një zonjë në të 60-at, e cila dëshiron të mbetet anonime dhe kohët e fundit ishte e shtruar në Spitalin e Librazhdit. Ajo tregon se mjekja i tha se nuk ka ilaçe dhe të drejtohet në spitalin e Elbasanit. Për të shmangur udhëtimet në Elbasan, pacientja bleu ilaçet privatisht, që kushtuan 200 dollarë, ndërsa pensioni i saj është nën 100 dollarë. Pse bashkia nuk investon në Spitalin e Librazhdit duke sjellë mjekë specialistë ose ilaçe? Kryetari i Librazhdit ka organizuar mbi 10 festa gjatë muajve të verës, duke harxhuar fonde për argëtim, ndërkohë që shtresat më të margjinalizuara vuajnë për shërbime bazike.
Zyra e Turizmit, por ku janë turistët?
Çdo ditë në Librazhd është e vështirë të dallosh ndonjë turist, përveç atyre që shkojnë në Parkun Shebenik, i cili ka qenë aty që prej vitit 2008. Edhe pse adminstrata e Zonave të Mbrojtura u zhvendos në Librazhd, përtej propagandës, bashkia ka hapur një zyrë turizmi ku punojnë disa persona, por realisht turizmi është i paktë.