OSHEE ka ndarë një tender për rikonstruksionin e rrjetit elektrik, një projekt i rëndësishëm që përfshin Njësitë Peshkopi, Bulqizë dhe Drejtorinë Rajonale Burrel. Projekti, me një fond limit prej 232,226,745 lekësh të reja pa TVSH, përmban një investim të konsiderueshëm për përmirësimin e rrjetit TM-10kV dhe TU 0.4kV në zonat e Peshkopisë, Borvjanit, Zerqanit dhe Fushë Bulqizës. Megjithatë, rezultati i këtij tenderi ka shkaktuar dyshime të forta për mungesë konkurrencë dhe lidhje të dyshimta midis autoriteteve dhe kompanive fituese.
Objekti i tenderit: Rikonstruksion i rrjetit TM-10kV, TU 0.4 kV me kabëll ‘A.B.C’ në Njësitë Peshkopi, Bulqizë, Drejtoria Rajonale Burrel. Zonat përfshijnë rrethinat e qytetit Peshkopi, Borvjan, Zerqan dhe Fushë Bulqizë.
Autoriteti kontraktues: Drejtoria Rajonale e OSSH Burrel.
Rezultati: Vlera e tenderit arriti në 224,061,561 lekë të reja pa TVSH, ose rreth 2.7 miliardë lekë të vjetra me TVSH. Në këtë proces tenderimi mungoi plotësisht konkurrenca, pasi pjesëmarrës ishte vetëm bashkimi i dy kompanive që fituan tenderin.
Numri i referencës: REF-18376-09-09-2024.
Fondi limit: 232,226,745 lekë të reja pa TVSH ose gati 2.8 miliardë lekë të vjetra me TVSH. Vlera fituese zë rreth 96.48% të fondit limit.
Fitues: Bashkimi i kompanive KUPA, në pronësi të Shkëlqim Kupës, dhe HTM, që sipas dokumentacionit është në pronësi të Ilir Tabakut. Sidoqoftë, kompania HTM më parë ka patur aksioner Plator Mehmetin, një emër i njohur për parregullsi dhe dënime në lidhje me procedura të tilla.
Plator Mehmeti është një personazh me një histori të gjatë dënimesh. Ai është dënuar plot katër herë, edhe pse në formularin e dekriminalizimit ka paraqitur një dëshmi penaliteti të pastër. Mehmeti pretendon se nuk ka dënime, por faktet tregojnë të kundërtën.
Mungesa totale e konkurrencës dhe përfshirja e një personi me një histori të dënimeve të shumta, si Plator Mehmeti, ngre dyshime të mëdha për parregullsi në këtë proces tenderimi. Shumat e mëdha të përfshira dhe lidhjet e afërta të kompanive fituese me drejtorët e OSHEE-së, përforcojnë këto dyshime.