Ushtria izreaelite ka deklaruar se ka ekzekutuar liderin e Hamasit, Yahya Sinwar, i cili konsiderohej si "truri" i sulmit të 7 tetorit të vitit të kaluar ndaj Izraelit.
Ministri i Jashtëm izraelit, Israel Katz, e quajti këtë një "fitore për të gjithë botën e lirë". Ende nuk ka një reagim zyrtar nga Hamas, por burime brenda grupit kanë thënë se të dhënat sugjerojnë që Sinwar është vrarë gjatë një operacioni izraelit në jug të Gazës.
Ushtria izraelite e konfirmoi vdekjen e Sinwar përmes një postimi në X. "Vrasësi Yahya Sinwar, për masakrën dhe mizoritë e 7 tetorit, u vra sot nga ushtarët e IDF-së", tha Katz në postim.
"Kjo është një arritje e madhe ushtarake dhe morale për Izraelin dhe një fitore për të gjithë botën e lirë kundër boshtit të keq të Islamit radikal të udhëhequr nga Irani", shkroi ai më tej.
Vdekja e tij ka shënuar një përparim të madh për ushtrinë izraelite dhe kryeministrin Benjamin Netanyahu, pas një serie eleminimesh të suksesshme të drejtuesve të spikatur të Hamas dhe Hezbollah në muajin e fundit. Më herët, policia izraelite analizoi provat e ADN-së dhe të dhënat dentare për të gjetur Sinwar, për të konfirmuar se objektivi kryesor i Izraelit ishte vrarë.
Ushtria tha më herët se po hetonte që Sinwar të ishte midis tre militantëve të vrarë gjatë një operacioni në Rripin e Gazës.
Ndërkohë, faqja e lidhur me Hamasin, Al-Majd, iu drejtua palestinezëve duke thënë se ata prisnin informacionin nga grupi dhe jo nga mediat izraelite, të cilat, sipas saj, synojnë t'i demoralizojnë ata.
Mediat izraelite raportuan se operacioni ishte pjesë e një sulmi rutinë që gjeti rastësisht Sinwar.