Rënie e re e qarkullimit në industri ka shënuar Enti Shtetëror i Statistikave në Maqedoninë e Veriut. Gjegjësisht, në gusht të këtij viti, në krahasim me muajin e njëjtë të vitit të kaluar, qarkullimi është ulur për 8.9 për qind.
Sipas grupeve kryesore industriale, qarkullimi i përgjithshëm në industri në muajin gusht shënoi rënie në produktet e ndërmjetme, përveç energjisë me 5,6 për qind, produktet kapitale me 18,3 për qind dhe mallrat e qëndrueshme për konsum me 5,6 për qind, ndërsa rritje u shënua te produktet jo të qëndrueshme për mallrat e konsumit me 1.8 për qind.
“Qarkullimi në industri, në total, në gusht krahasuar me korrikun 2024, është ulur me 6.4 për qind. Në periudhën janar – gusht të këtij viti, megjithatë, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023, është shënuar një rënie prej 12.8 për qind.
Në tregun vendas, qarkullimi i industrisë në gusht 2024 është ulur me 9.6 për qind. Sipas grupeve kryesore industriale, rënie shënojnë produktet e ndërmjetme, përveç energjisë me 23 për qind, produktet kapitale me 27,3 për qind dhe ato të qëndrueshme konsumatore me 14,3 për qind, ndërsa rritje shënojnë produktet e konsumit jo të qëndrueshme me 2,4 për qind”, thuhet në njoftimin e ESHS-së.
Rënie prej 10.5 për qind ka shënuar edhe qarkullimi në industri në tregjet e huaja në gusht të këtij viti krahasuar me gushtin e vitit të kaluar. Sipas grupeve kryesore industriale, rënie ka tek produktet e ndërmjetme, përveç energjisë me 1,6 për qind, produktet kapitale me 18.4 për qind dhe ato të qëndrueshme konsumatore me 0.1 për qind, ndërsa rritje ka tek produktet e konsumit jo të qëndrueshme me 1.1 për qind.