Sot në Gjykatën e Tiranës pritet të zhvillohet seanca për motrat Antonela dhe Mariela Berisha, të akuzuara për dhunimin e blogeres Klea Prenga.
Antonela është parë në hollin e gjykatës duke pritur për seancën, ndërsa Mariela ndodhet në arrest me burg.
Për vetëdorëzimin e dy motrave Berisha ka reaguar edhe Klea Prenga. Në një postim në rrjetet sociale ajo theksoi se nuk do të hesht ndaj asnjë forme të abuzimit dhe se është e vendosur të mbrojë imazhin dhe dinjitetin e saj. Ajo tha se nuk është pajtuar me motrat Berisha dhe nuk ka ndërmend ta bëjë pasi ato duhet të dënohen maksimalisht për dëmin fizik dhe psikologjik që i kanë shkaktuar.
“Përshëndetje, Pas dy muajsh nga sulmi brutal që më është bërë, personat përgjegjës janë vetëdorëzuar. Disa media kanë spekuluar për një mundësi pajtimi mes nesh, por dua të jem shumë e qartë: nuk ka ndodhur dhe nuk do të ndodhë asnjë pajtim. Unë kërkoj drejtësi të plotë dhe dënimin e merituar për pasojat e rënda fizike dhe psikologjike që më kanë shkaktuar. Nuk mund të ketë falje për një akt të tillë dhune. Shpresoj që procesi gjyqësor të jetë i drejtë dhe transparent, dhe që drejtësia të vihet në vend, duke më dhënë mua dhe familjes sime qetësinë që meriton çdo qytetar”
Kujtojmë se ngjarja ndodhi në fund të muajit gusht në një restorant në Tiranë ku motrat u afruan te tavolina e 24-vjeçares dhe njëra prej tyre i gjuajti me një gotë qelqi në fytyrë. Pas ndërhyrjes së stafit dhe klientëve, ato u larguan nga vendngjarja me dy automjete.
Klea Prenga, pas ngjarjes, publikoi dëmtimet që kishte pësuar dhe akuzoi motrat se synonin të shkatërronin imazhin e saj. Ajo gjithashtu mori mesazhe kërcënues nga to pas incidentit. Seanca pritet të sjellë më shumë detaje rreth kësaj ngjarjeje të rëndë.
Dy motrat, Antonela dhe Mariela Berishaj akuzohen për plagosje të rëndë me dashje, kryer në bashkëpunim dhe rrezikojnë burg deri në 10 vjet.