Katër persona kanë mbetur të plagosur në një aksident që ndodhi paraditen e së enjtes në Sarandë.
Policia njofton se në vendin e quajtur “Ujëvara e Borshit”, shtetasi Astrit Shukullari, 71 vjeç, duke drejtuar automjetin tip “Benz”, dyshohet se ka bërë një manovër të gabuar, duke e çuar automjetin jashtë rrugës dhe në oborrin e një banese.
Të plagosurit janë katër shtetas austriakë që po udhëtonin me këtë automjet; ata u transportuan në spitalin e Vlorës dhe aktualisht janë jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor po punon në vendngjarje për të zbardhur të gjitha rrethanat e aksidentit.