Liam Payne, ish-anëtari i One Direction, pati një fund tragjik të mërkurën pasi u rrëzua nga kati i tretë i hotelit ku po qëndronte në Buenos Aires.
Policia lokale ka zbuluar se orët e fundit të tij ishin shqetësuese dhe plot kaos. Mediat kanë siguruar foto nga Suita Deluxe në Casa Sur në Palermo, ku ylli britanik po qëndronte bashkë me të dashurën e tij.
Imazhet zbulojnë një skenë tronditëse, duke përfshirë një ekran televizori të thyer dhe jo vetëm. Detaje të mëtejshme shqetësuese dalin në dritë nga tavolina e suitës, e cila përmbante një sapun Dove, shkrepse, mbetje qirinjsh, letër alumini dhe një substancë pluhur që besohet të jetë kokainë. Një çakmak dhe një kanaçe me gaz të djegur u zbuluan gjithashtu midis mbeturinave, duke e bërë edhe më shqetësuese situatën e këngëtarit.
Në vaskën e suitës, u gjetën më shumë mbetje qirinjsh dhe letër alumini, krahas shenjave të djegies dhe njollave.
Payne u shpall i vdekur nga policia dhe personeli mjekësor i urgjencës nga SAME (Sistemi i Kujdesit Mjekësor Emergjent), pasi ra nga kati i tretë i hotelit. Policia mori një telefonatë ku raportohej prania e "një burri agresiv që mund të ishte nën ndikimin e drogës ose alkoolit", por pa e ditur se ishte Payne.
Ekipet e shpëtimit që kanë marrë raportimin kanë thënë se kanë mbërritur në vendngjarje brenda shtatë minutave, por se rënia nga kati i tretë i kanë shkaktuar vdekjen e menjëhershme këngëtarit.
Deri më tani, rrethanat në të cilat këngëtari 31-vjeçar u gjet i vdekur janë të paqarta, me dëshmi, megjithatë që flasin për sjelljen e tij të çuditshme pak para ngjarjes tragjike. Siç raporton TMZ , Payne po sillej në mënyrë të çuditshme në hollin e hotelit. Mësohet se këngëtari kishte thyer laptopin dhe e kishte tërhequr zvarrë në dhomën e tij.
Autoritet britanike kanë nisur hetimet bashkë me ato argjentinase për të zbuluar më shumë rreth vdekjes së këngëtarit 31-vjeçar.