Mëngjesin e sotëm, 16 emigrantët e parë mbërritën në portin e Shëngjinit, që i janë nënshtruar procedurave të regjistrimit nga autoritetet italiane, të cilat operojnë në kampet e hapura në Shqipëri.
Vetëm 14 prej tyre do të dërgohen në Gjadër, sepse 2 refugjatë rezultuan minorenë, të cilët duhet të kthehen në Itali për të nisur atje procedurat e azilit.
Në kuadër të marrëveshjes ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë, është përcaktuar se vetëm meshkujt e rritur nga vendet e sigurta do të trajtohen në Shqipëri, ndërsa të gjitha kategoritë e tjera vulnerabël do të dërgohen për trajtim në Itali.
Migrantët mbërritën rreth orës 10:00, duke zbritur nga anija në grupe prej katër personash, të shoqëruar nga forcat e policisë italiane. Ata përshkuan një distancë të shkurtër, disa dhjetëra metra, deri te hyrja e qendrës që autoritetet italiane kishin ngritur brenda portit të Shëngjinit.
Pas mbërritjes, ata iu nënshtruan menjëherë kontrolleve mjekësore dhe morën veshje e ushqim. Pas kësaj, nisi procedura e identifikimit të tyre.