Një burrë që më parë ishte i shëndetshëm dhe fizikisht aktiv ka deklaruar se jeta e tij pësoi një ndryshim dramatik pasi kreu vaksinën e Covid-19.
Larry Lowe, 54 vjeç, rrallëherë sëmurej, madje vraponte 10 km pothuajse çdo ditë. Megjithatë, pasi mori vaksinën përforcuese të Pfizer, shëndeti i tij filloi të përkeqësohej, ku nisi të kishte një mpirje në njërën anë të fytyrës së tij, të cilën fillimisht nuk e kuptoi.
Larry, nga Omagh në Irlandën e Veriut, nuk ishte kundër vaksinës, por simptomat e tij u përkeqësuan që prej marrjes së saj, dhe mjekët në Britani kanë filluar të tregojnë me gisht vaksinën si shkaktare.
"Kam humbur ndjeshmërinë në të gjithë skajet e fytyrës, dhëmbët, hundën, gjuhën dhe syrin," tha ai për BBC.
Larry shpjegoi se pas vizitës në një spital në Londër, mjekët konfirmuan se trupi i tij e "konsideroi vaksinën si një toksinë", dhe ky ishte shkaku i problemeve të tij.
Ai përjetoi një krizë emocionale pasi mësoi këtë, pasi sipas ekspertëve, vaksina shkatërroi nervin në anën e djathtë të fytyrës së tij, për të cilin nuk pritet të ketë rikuperim.
Spitali Guy's and St Thomas' Trust, ku Larry u konsultua, konfirmoi në maj të vitit të kaluar se ekipi i tyre ishte në një mendje që simptomat mund t’i atribuoheshin vaksinës përforcuese kundër Covid-it.
Në prill të këtij viti, ai u diagnostikua nga një neurolog me 'neuropati të dhimbshme trigeminale', duke u sqaruar se vaksina Covid ishte shkaku kryesor. Larry gjithashtu zhvilloi një neuropati sensore të fibrave të vogla, që gjithashtu i atribuohet vaksinës.
Larry tha se kjo situatë "e ka shkatërruar", ndërsa shëndeti i tij vazhdon të përkeqësohet dhe tani ai është i detyruar të mbajë syze dielli edhe brenda për shkak të ndjeshmërisë së lartë ndaj dritës dhe përjetimit të sindromës së 'syve të thatë'.
Duke folur për dhimbjen e tij, ai zbuloi: "Ndjehem sikur një piskatore më shtrëngon në të dyja anët e kokës, gjatë gjithë kohës. Më është thënë që gjendja ime do të përkeqësohet. Nuk e kërkova këtë. Ndihem aq shumë në dhimbje, saqë më duket sikur nuk ja vlen të jetoj. Kur thyen një këmbë, ajo fillon të shërohet, ndërsa dhimbjet e mia vetëm sa përkeqësohen çdo ditë e më tepër," u shpreh ai.
Larry ka ndaluar aktivitetet e tij muzikore dhe krijuese, duke thënë se jeta e tij e mëparshme është tashmë vetëm një "një kujtim" dhe se është detyruar të dalë në pension për arsye shëndetësore.