Një stuhi e fuqishme diellore ka goditur Tokën, duke sjellë rrezikun e ndërprerjeve të energjisë elektrike.
Administrata Kombëtare e Oqeanit dhe Atmosferës (NOAA) ka lëshuar një paralajmërim për një stuhi gjeomagnetike ekstreme, që pritet të zgjasë për dy ditë, pasi Dielli ka lëshuar një valë të fuqishme të energjisë magnetike mëngjesin e të martës.
Kjo stuhi, që ka arritur nivelin 4, filloi të godasë Tokën pasditen e sotme dhe pritet të zgjasë deri të premten. Efektet e saj mund të shkaktojnë ndërprerje në sinjalet radiofonike, satelitore dhe GPS, si dhe mund të dëmtojë ose ndikojë në rrjetet e energjisë elektrike.
Një paralajmërim për stuhi të nivelit G4 është i rrallë, pasi është hera e dytë që NOAA e lëshon që prej vitit 2005.
Zyrtarët e New Yorkut janë mes atyre që po paralajmërojnë publikun për këtë ngjarje. Zëdhënësi i Menaxhimit të Emergjencave të New Yorkut, Aries Dela Cruz, tha: "Ne po monitorojmë situatën, por për momentin publiku nuk duhet të ndërmarrë veprime të menjëhershme. Nuk duam t’i alarmojmë njerëzit, por nuk duhet të habiten nëse u ndërpritet Google Maps ose gjëra të ngjashme."
Një shpërthim i fuqishëm i njohur si "fllakë diellore" është shkaktuar nga njolla diellore AR3848, duke çliruar energji të madhe magnetike që mund të dëmtojë rrjetet elektrike. Pas shpërthimit fillestar, një valë tjetër me energji të lartë dhe plazma diellore, e quajtur CME është drejtuar drejt Tokës, duke shkaktuar stuhinë aktuale.
Stuhia arriti në nivelin G4 duke sjellë edhe shfaqje të pazakonta të aurorave në pjesë të mëdha të SHBA-së, deri në Alabama dhe në veri të Kalifornisë.
Megjithëse këto ngjarje janë të rralla, kjo nuk është stuhia më e fuqishme e këtij viti. Në maj, Toka përjetoi stuhinë më të fortë diellore të dy dekadave të fundit, e cila shkaktoi aurora spektakolare.
Aktiviteti i fundit diellor sugjeron që Dielli ka hyrë në fazën e "maksimumit diellor", një cikël 11-vjeçar kur aktiviteti i tij arrin kulmin. Sipas shkencëtarëve, ky maksimum pritej të ndodhte në korrik 2025, por zhvillimet e fundit tregojnë se do të vijë më shpejt se parashikohej.
Dielli ka lëshuar 41 shpërthime të klasit X vetëm këtë vit, një numër rekord në dekadën e fundit. Kjo do të thotë se bota mund të përballet me stuhitë më të forta në vitin 2025, me më shumë shpërthime diellore, CME dhe stuhira gjeomagnetike në horizont.