Në Bashkinë e Cërrikut vazhdojnë tenderët që ngrenë pikëpyetje serioze mbi transparencën dhe integritetin e procedurave të prokurimit publik. Rasti më i fundit është tenderi për “Rehabilitimin e kanalit Shtepanjë-Shushicë në Njësinë Administrative Gostimë dhe kanali i fshatit Mollas në Njësinë Administrative Mollas”. Ky projekt ka një rëndësi të veçantë për zonën, pasi do të përmirësojë furnizimin me ujë për fshatrat dhe do të rrisë produktivitetin bujqësor të banorëve.
Megjithatë, dyshimet rreth këtij tenderi janë të mëdha. Fondi limit i vënë në dispozicion nga Bashkia Cërrik ishte 27,784,300 Lekë të reja pa TVSH, që përfshin një total prej rreth 333 milionë Lekë të vjetra me TVSH. Megjithëse në garë morën pjesë tre kompani, fitues u shpall bashkimi i operatorëve ekonomikë "METEO".SH.p.k në pronësi të Eral Myftaraj dhe Shendelli shpk në pronësi të Yzedin Bozhaj. Ata ofruan një shumë prej 27,085,672 Lekë të reja pa TVSH, që përbën rreth 97.49% të fondit limit, ose rreth 325 milionë Lekë të vjetra me TVSH.
Fakti që vlera fituese është kaq pranë fondit limit ngre dyshime serioze për një proces jo-transparent. Shpeshherë, kur oferta është kaq pranë fondit limit, lindin dyshime se mund të ketë pasur koordinim paraprak midis autoriteteve dhe firmave pjesëmarrëse. Në këtë rast, edhe pse ofertat e tjera ishin më të ulëta, për çudi, fitues u shpall bashkimi i operatorëve që ofroi vlerën më të lartë.
Ky është një nga ato raste ku shumëkush pyet nëse fituesit ishin të paracaktuar që në fillim. Yzedin Bozhaj, një emër i njohur në botën e biznesit të ndërtimit, dhe Eral Myftaraj, bashkëpronar i kompanisë “METEO”, janë tashmë të lidhur me tendera të tjerë të ngjashëm, ku dyshimet për abuzim kanë qenë të përhershme. Për më tepër, kjo nuk është hera e parë që Bashkia Cërrik, nën drejtimin e kryetarit Andis Salla, përfshihet në tendera të cilët ngjallin polemika për mungesë transparence dhe favorizime të paracaktuara.
Në shumë raste të tilla, konkurrenca duket vetëm formale, ndërsa fituesit janë të ditur që në nisjen e procedurave. Kjo situatë krijon një klimë mosbesimi në institucionet publike dhe ngre shqetësime për efektivitetin e përdorimit të fondeve publike. Ndërkohë që fshatrat e Gostimës dhe Mollasit presin prej vitesh rehabilitimin e këtyre kanaleve jetësore për bujqësinë e tyre, duket se tenderat publikë po kthehen në një mjet përfitimi për një grup të vogël biznesmenësh të lidhur me pushtetin lokal.
Qytetarët e Cërrikut, por edhe më gjerë, presin që institucionet e pavarura të hetojnë këtë tender dhe të nxjerrin në pah çdo parregullsi që mund të ketë ndodhur gjatë procesit. Përderisa vlera e fituar është afër maksimumit të fondit të vënë në dispozicion, çështja nuk mund të kalojë pa u trajtuar me seriozitet. Ata kërkojnë që të ketë një hetim të thellë mbi kriteret e vlerësimit të ofertave dhe mbi mënyrën sesi është bërë zgjedhja e fituesit.
Ky tender është vetëm një shembull nga shumë të tjerë ku praktikat korruptive dëmtojnë jo vetëm financat publike, por edhe interesat e komunitetit që ka nevojë për investime të mirëmenaxhuara dhe transparente.