Skandali i fundit i tenderëve publikë përfshin një emër të njohur të botës së krimit. Lefter Lamaj, i dënuar në Itali me 11 vite burg për prostitucion, ka rigjetur rrugën për të përfituar nga fondet publike në Shqipëri, këtë herë duke përdorur firmën e tij, por me emër të ndryshuar.

Për të humbur gjurmët dhe për të shmangur lidhjet me të kaluarën e tij të dyshimtë, më 22 gusht 2024, shoqëria "DEVIS SHPK" ndryshoi emrin në "ABI'S SHPK". Pas këtij ndryshimi, kompania vazhdon të operojë dhe të fitojë tenderë, duke përfituar sasi të mëdha fondesh nga buxheti i shtetit.



Pikërisht objekti i tenderit më të fundit ishte kryerja e shërbimit të lavanderisë për një periudhë 36 mujore në Spitalin Universitar të Traumës, me një vlerë prej 2.6 milionë euro. Tenderi u organizua nga Operatori i Blerjeve të Përqendruara dhe procedura e kufizuar, mbi kufirin e lartë monetar, ka ngjallur dyshime të forta për paracaktimin e fituesit. Kompania "ABI'S SHPK" apo ish-"DEVIS SHPK", e cila aktualisht figuron në pronësi të Kristinka Lekës, fitoi tenderin me një ofertë që përfaqësonte 98.7% të fondit limit.

DEVIS SHPK është një kompani që renditet në mesin e ndër më të mëdhenjve për përfitimin e parave publike në sektorin e shëndetësisë, shpesh përmes procedurave të dyshimta. Megjithëse ka përfituar miliarda lekë nga taksapaguesit shqiptarë, kompania nuk është hetuar për shkeljet në prokurime. Fillimisht, firma ishte në pronësi të Lefter Lamajt, i cili, për të humbur gjurmët e aktivitetit të tij të dyshimtë, ia kaloi pronësinë Lekës.

Por skandali nuk përfundon këtu. Përveç se fituesi i tenderit ka detyrime financiare të papaguara ndaj Spitalit Universitar të Traumës, në vlerën e rreth 60 milionë lekëve të vjetra, kompania ka humbur dhe gjyqin në shkallën e parë për këto borxhe. Megjithatë, pavarësisht këtyre problemeve, kjo firmë arriti sërish të fitojë një tender nga i njëjti spital, duke ngritur shqetësime për korrupsion dhe parregullsi në sistemin e prokurimeve publike.

