Rezart Arshiaj, i njohur nga të gjithë si Beni, është 37-vjeçari i vrarë mbrëmjen e së dielës në Oratoio, një zonë periferike e Pizës, Itali.
Muratori shqiptar, baba i dy fëmijëve të vegjël sapo ishte kthyer në shtëpi kur u qëllua 8 herë me armë zjarri.
Autoritetet italiane po hetojnë dinamikën e ngjarjes dhe besohet se gjithçka ka qenë e përgatitur pasi dyshohet se në oborrin e shtëpisë e kanë pritur dy vrasës. Beni ishte ende brenda furgonit kur vrasësi u afrua dhe i armatosur me një pistoletë të kalibrit të vogël qëlloi të paktën 8 të shtëna në drejtim të tij: 5 goditën trupin, dy goditën në kokë. Komshiu ishte i pari që doli me vrap. Më pas gruaja e tij dhe djali i tyre 9-vjeçar panë atë që askush nuk do të donte të shihte kurrë. Nga tronditja gruaja e tij u sëmur dhe u shtrua në spital, ndërsa fëmija dhe motra e tij 5-vjeçare u dërguan te një i afërm.
Dëshmitë e mbledhura i kanë "turbulluar ujërat" pasi disa kanë folur për një vrasës, disa për dy persona dhe disa madje tre burra.
Viktima nuk ka precedentë penal, për dy vjet ai kishte jetuar në via dell'Oratoio. Ata që e njihnin Benin e përshkruajnë si një punëtor që kujdesej për familjen e tij. Edhe të dielën, për shembull, ai e demonstroi këtë: Ai kishte qenë me gruan dhe fëmijët e tij për të ngrënë në një restorant fast-food. Pastaj mori makinën dhe furgonin për t'i larë. Në fund ai shkoi të punonte te një i afërm dhe në orën 21:00 u kthye në shtëpi për darkë, por u vra në oborrin e shtëpisë.
Nga një rindërtim fillestar duket se arratisja e vrasësit ka ndodhur me një skuter, por askush nuk di ta shpjegojë se në cilin drejtim. Nuk ka kamera sigurie, por policia gjeti një private në via Calatafimi e cila mund të kishte filmuar të paktën skuterin dhe kushdo që ishte në të. Por çuditërisht, kamera ishte jashtë funksionit dhe filloi të regjistronte sërish në orën 22:00, një orë pas vrasjes.
Pronari i kamerës shpjegon:
"Ajo regjistroi të premten dhe të shtunën, por të dielën u prish deri në orën 22:00. Mendova se dikush e kishte prishur".
Tashmë policia po kryen hetimet në lidhje me këtë. Prokuroria ka urdhëruar tashmë autopsinë dhe hetuesit po përpiqen të kuptojnë nëse vrasja e së dielës në mbrëmje ka lidhje me plagosjen e një shqiptari që ndodhi në korrik në San Frediano a Settimo. Ndonëse nuk përjashtohet asnjë skenar, duket për momentin se dy episodet nuk janë të lidhura. Megjithatë, asnjë hipotezë hetimore nuk përjashtohet.
Hetuesit ka qenë në kontakt me policinë shqiptare me shpresën për të patur ndonjë detaj të ri. Policia ka marrë edhe celularin e viktimës për të kuptuar nëse mund të kishte ndonjë të dhënë.