Në fillim të tetorit, një foshnjë 5-ditëshe ndërroi jetë në maternitetin e Vlorës. Kjo ngjarje ka ngritur shumë pikëpyetje te familjarët, të cilët nuk ishin lajmëruar në asnjë moment se e kishin foshnjën sëmurë.
Prindërit e foshnjës e denoncuan menjëherë në polici ngjarjen, ndërsa mjekja përgjegjëse është proceduar në gjendje të lirë.
I ati i foshnjës, Neritan Halilaj, rrëfeu me lot në sy ngjarjen dhe arsyen e vdekjes së të birit, duke drejtuar gishtin nga mjekët.
“Lindi shumë mirë. Vajta ta marr nusen dhe djalin ditën e tretë, më tha doktoresha se do të rrijë dhe nja dy ditë, sepse po merr mjekim, sepse i kishin dalë ca puçrra të kuqe si çdo fëmije.
Ditën e pestë erdhi doktoresha na tha gjithçka mirë dhe i bënë vaksinën e bebit, dhe me merr nusja në telefon dhe më thotë do dalim. Marr babanë në telefon të vijë ta marrë sepse unë isha në punë dhe nuk kisha mundësi, më merr nusja prapë në telefon, djali është pajetë, është nxirë”, tha ai ndërsa shton se nuk e lajmëroi njeri se djali ishte sëmurë.
“Kur shkoja atje dhe rrija më djalin infermierja më thoshte është shumë mirë, ndërkohë pastaj nuk e di çfarë ndodhi. Nëse djali ishte i sëmurë të më thoshin dhe unë do merrja masa. Ajo ka qenë punë momentale, nuk e di se çfarë ka bërë doktoresha, Idajete Cane. Askush nga spitali nuk na kanë dhënë një shpjegim. Ne do ta ndjekim rastin deri në fund. Sot kam dhënë dëshminë, do presim autopsinë e bebit. Doktoresha është në punë akoma, nuk është pezulluar akoma.”
Nusja i kishte dhënë për të pirë, i kishin bërë vaksinën, nusja kishte vajtur për t’u ndërruar, ajo zonja kishte marrë bebin për ta ndërruar, nusja priste në dhomë, ‘pse s’po ma sjellin’. Kishte shkuar të dhoma dhe kishte parë të gjithë aty, i kishin thënë ka një rast urgjence, nusja kishte thënë ‘dalë se mos është çuni im’, dhe e kishte parë aty të nxirë.
Djali im kishte një vigon në dorë, nuk e di pse e kishte. Ajo doktoresha nuk i ishte trembur syri fare. Nusen e ka gjetur pa ndjenja në tokë kunata ime. Edhe sot nuk më kanë dhënë asnjë shpjegim, asnjë arsye pse fëmija im ka ndërruar jetë.
Në fund, thotë se për vdekjen e të birit fajëson mjeken dhe nuk do të ndalet pa e sqaruar një herë e mirë çështjen.
“Unë nuk ia fal kurrë asaj mjeke se ajo ma ka marrë jetën e djalit, do t’i shkojë deri në fund. E di që djali im nuk ka qenë i sëmurë. Pse i mori jetën? Pse? E kanë mendjen duke luajtur me telefon? Sa herë që veja e gjeja në telefon duke luajtur në telefon e ulur në tavolinë. A u ka rënë nga dora, a nuk e di…. Në polici na pyesnin ne ‘mos i ka rënë nga dora kunatës?’, ndërkohë që kunata nuk ka qenë aty”, deklaroi ai.