Para një muaji, Mifit Balla humbi djalin e tij Bujarin, 39 vjeç, prej kancerit të stomakut. Mifiti me origjinë nga Librazhdi, por që jeton prej vitesh në Tiranë, akuzon spitalin Onkologjik në QSUT, për humbjen e të birit.
“Kimioterapinë po e bënte, rrezet i bëri, analizat i dolën mirë. Skaneri prapë mirë. I solla këtu i ka mirë, kur i kishte mirë pse ndodhi kjo. Për të marr në qafë këta të marrin. Erdhi me 31 të dielën në spital, me 1 mbaroj. Ka ndërruar jetë në spital në katin e 4. E çuam në urgjencë edhe ndërroi jetë këtu”.
Bujari vuante për më shumë se një vit nga kanceri i stomakut dhe kishte nisur me kohë kimioterapinë. Mes lotësh dhe dhimbjes, ai u shprehet se më 3 korrik, kur e dërgoi djalin për të bërë seancën e radhës të kimioterapisë në Onkologjik, nuk ia bënë kurën, sepse sipas tij mjekët i thanë se kimioterapia duhet të ndalojë prej mungesës së ilaçit “Irinotecan”.
“Bënte mjekim kimioterapi iu pre me 3 korrik dhe kishte edhe 3 për të bërë, pastaj do të bënte një kontroll. Ishte shumë mirë me këmbët e veta erdhi. “Irinotecani”, ilaçi që mungonte”.
Mungesën e ilaçeve ai ia ngriti si shqetësim edhe Drejtorisë së QSUT-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë, por nuk mori zgjidhje.
“Ika u ankova te drejtoria, edhe te ministria vajta atje. Më jepni recetën u thosha, s’ka ilaç, s’ka ilaç. Pa mjekim fare. Me 24 i bënë pastaj ato, pasi ra çuni. Që atë ditë me datë 3 u ngrit çuni në këmbë vajti atje dhe i tha zonja doktoreshë s’ka ilaç. Oboboo tha, çuni, edhe nuk u ngrit më. Ilaçin e kishte buk”.
Mungesa e ilaçeve në Onkologjik nuk ishte diçka e re për Mifitin, mirëpo kësaj here, që pas skandalit të Onkologjikut, mjekët ishin më të kursyer për dhënien e recetave apo porosive për te farmacitë private.
Gjithashtu, ai shton se as emrin e ilaçit nuk ia shkruanin në recetë dhe për këtë arsye nuk arriti ta merrte në farmaci.
“Më jepni recetën ta merrja siç e mora edhe një herë me lekë vetë atje. Këtë herë s’donin, më thoshin edhe emrin e ilaçit shkruaje vetë, jo me dorën e saj. “Irinotecani”, ilaçi që mungonte. Edhe e shkrova vetë emrin e ilaçit unë, edhe gjeta këtu në Tiranë po donte recetën për ta marr. Pa recetë nuk ma dha farmacistja, më tha s’di sa miligram duhen".
“Vetëm këtë qaj, të kishte bërë këto 3 të fundit, pastaj e kishte në dorë vetë Zoti. Qe shumë mirë, e qaj prej këtyre. Le t’i ndjekë SPAK. Se do marrin në qafë të tjerë”, tha ai ndërsa shtoi se do ta mbajë gjersa të vdesë pengun e humbjes së djalit.