Një mjeke britanike ka shpjeguar se përse dridhjet e pavullnetshme të trupit mund të jenë një shenjë e hershme e disa sëmundjeve vdekjeprurëse.
Përgjithësisht, Shërbimi Kombëtar Shëndetësor në Britaninë e Madhe (NHS) thotë se këto dridhje trupore janë zakonisht të padëmshme dhe lidhen me stresin, ankthin, lodhjen, konsumimin e kafeinës apo përdorimin e ilaçeve.
Megjithatë, sipas Dr. Monika Wassermann, këto simptoma mund të lidhen me tre lloje kanceri, i prostatës, mushkërive dhe gjirit.
Tumoret që prekin palcën kurrizore mund të përhapen nga këto lloje të kancerit dhe të shkaktojnë dridhje ose spazma të muskujve. Leukemia, një formë tjetër e kancerit të gjakut, mund të prekë gjithashtu shtyllën kurrizore, duke shkaktuar spazma ose lëvizje të papritura muskujsh.
Sipas Cancer Research UK, deri në 80% e njerëzve me tumor në tru përjetojnë kriza epileptike, të cilat mund të përfshijnë dridhje të pavullnetshme të duarve, krahëve apo këmbëve, ose të gjithë trupit.
Gjithashtu, nëse filloni të keni probleme me shikimin, siç janë vështirësia për të parë apo humbja e pjesshme e fushëpamjes, kjo mund të jetë një shenjë e një tumori në tru. Një shenjë tjetër është humbja e shikimit anësor, gjë që mund të bëjë që të përplaseni me objekte rreth jush.
Ekspertja këshillon ata që kanë dridhje të vazhdueshme trupore për një periudhë të gjatë kohore të konsultohen me ndonjë mjek.