Kompania ONE Albania ka reaguar në lidhje me një lajm të publikuar pak ditë më parë në JOQ Albania ku faktohej shitja e një përqindjeje të aksioneve të kompanisë tek Ilza Zoto për 2000€.
Bashkëshortja e Klodian Zotos, biznesmenit të inceneratorëve i cili është aktualisht në kërkim për korrupsion, është bërë aksionere në kompaninë më të madhe telefonike në vend pas blerjes së aksioneve tek ONE.
Në lidhje me lajmin ka ardhur edhe reagimi nga kompania ONE, në të cilin shkruhet se transaksioni i shitjes së aksioneve është i aksuesueshëm për publikun në QKB.
REAGIMI
Deklaratë zyrtare nga One Albania
Në vijim të artikullit të publikuar në websiten e JOQAlbania, në datën 30.09.2024, One Albania dëshiron të sqarojë se informacioni për shitjen e 6.56% të aksioneve të kompanisë shtetases Ilza Zoto është i pavërtetë.
Transaksioni i kryer më 22 mars 2024 konsiston në shitjen e një pjese të vogël të aksioneve nga shtetasit Bashkim dhe Margarita Sulstarova te zonja Ilza Zoto. Këto aksione janë ekuivalente me 0.000152% të totalit të aksioneve të One Albania dhe jo 6.56%, një shifër kjo e sajuar në artikullin e publikuar. Ky transaksion është regjistruar në përputhje me dispozitat ligjore në regjistrin e aksionerëve të One Albania dhe është publikuar në Qendrën Kombëtare të Biznesit.
Ky informacion zyrtar është i aksesueshëm nga publiku dhe rrjedhimisht raportimet e mediave që pretendojnë se zonjës Ilza Zoto i janë shitur 6.56% e aksioneve të One Albania janë tërësisht të rreme. Kjo shitje nuk lidhet me ndonjë aktivitet operacional ose menaxherial brenda One Albania. One Albania thekson se 0,738% e aksioneve të kompanisë zotërohen nga 7417 persona, të cilat i kanë trashëguar këto aksione nga proceset e privatizimit (ish-punonjës të Albtelecom dhe AMC), ndër të cilët ishin edhe këta shitës.
Gjithashtu, One Albania dëshiron të sqarojë se aludimet e rënda të bëra se kryetari i bordit drejtues të 4iG Gellert Jaszai është ‘i skeduar për pastrim parash, skema mashtrimi financiar trafik fiktiv aksionesh e kapitalesh në Shqipëri, Hungari, Bullgari, Rumani, Serbi, Bosnjë, Turqi, Mali i Zi e Maqedoni’ janë krejtësisht të pabaza.
Gellért Jászai është një biznesmen i respektuar, aksioner i shumicës dhe Kryetar i Bordit të 4iG Plc, një grup i tregjeve të kapitalit i regjistruar në Bashkimin Evropian. Grupi 4iG operon sipas rregullores së BE-së dhe ligjeve të tregjeve të kapitalit. One Albania hedh poshtë çdo akuzë të rreme se zoti Gellert Jászai ose ndonjë prej kompanive të tij i nënshtrohet ndonjë procesi gjyqësor, qoftë në BE apo në ndonjë vend tjetër.
Me anë të kësaj deklarate ju kërkojmë të fshini ose korrigjoni artikullin pasi përmban të dhëna të pavërteta dhe pretendime të pabaza, e si rrjedhim përhap informacion të rremë për një nga kompanitë më të mëdha në Shqipëri.