Dëshmia e Irfan Azizit, e marrë nga SPAK në Ambasadën Shqiptare në Londër, ka zbuluar detaje të reja rreth mënyrës se si Talo Çela shmangu ndjekjen e policisë gjatë ngjarjes së tentativës së grabitjes së kambistit Minella Muçi në Fier. Azizi ka treguar se në mesnatën e incidentit, ai është takuar me Talo Çelën në Fier Shegan, ku kanë ndërruar makinat. Ai i ka dhënë Çelës makinën e tij “Volvo”, me të cilën janë larguar autorët, dhe ka marrë në këmbim një “BMW X5” nga Talo, të cilën e ka çmontuar atë natë.
Irfan ka përshkruar se Talo ishte i maskuar me një maskë “Scary Movie”, ndërsa shoku i tij, Mikael Kamami, kishte një maskë “Teletabis”. Dëshmia e tij është marrë më 5 korrik 2022, pas braktisjes së Shqipërisë në vitin 2021 pas një atentati të dështuar që Talo Çela kishte organizuar.
Azizi ka treguar se ngjarja e grabitjes së dështuar në Fier ndodhi pasi Talo dyshonte se ai kishte ndihmuar në furnizimin e makinave për Nuredin Dumanin, të cilat u përdorën në vrasjen e Emiljano Ramazanit dhe Bujar Çelës. Ai ka përshkruar se si ka shpëtuar Talo Çelën nga policia pas ngjarjes, duke ndërruar makinat me të në orën 03:00.
Sipas informacionit nga Nuredin Dumani, ekipi i Talo Çelës kishte marrë lajme se në shtëpinë e Minella Muçit ndodheshin 500 mijë euro. Minella Muçi ishte shok i ngushtë me Arben Isufajn, i njohur si “Ben Qimja”, që në atë kohë jetonte në Brazil dhe Meksikë.
Ndërkohë, sipas rrëfimit të Irfan Azizit të dhënë në Ambasadën Shqiptare në Londër, ja se si e kujton ai këtë ngjarje të rëndë në Fier. “…rreth orës 03:00 të mëngjesit më ka çuar sms Talo Çela. Mbas disa zilesh kam arritur të ngre telefonin, pasi isha në gjumë. Mesa kujtoj me Talon, nuk kam folur me telefonin me nr.20 por me një telefon tjetër. Për Talon nuk e mbaj mend numrin pasi ai përdorte katër telefona të ndryshëm. Kam komunikuar me Talo Çelën i cili më tha: "…Dil urgjent merr makinën tënde dhe hajde tek rotondo e Beratit (te rreth-rrotullimi Stravës). Gjatë rrugës kemi komunikuar disa herë me Talon për vendndodhjen. Kam shkuar në Fier Shegan në një xhep rruge dhe kemi ndërruar makinat. Unë kam qenë me një makinë “Volvo S60” ose 80, ngjyrë ulliri, ndërsa Talo Çela ka qenë me një “BMË X5”. Nga makina “X5” ka dalë fillimisht Talo Çela nga pozicioni i drejtuesit të mjetit, më pas ka dalë shtetasi i thirrur “Keli”. “Keli”, ka një tatuazh të madh në krahun e djathtë (biscepsin) të cilën unë e njoh dhe e kam takuar 3-4 herë me Talo Çelën. “Kelin” e kam njohur në kohën që vinte me Talo Çelën, pasi të dy sillnin makina për të çmontuar tek unë. Talo ma ka prezantuar “Kelin” si shokun e tij të besuar. “Keli” ishte rreth moshës 30 vjeç në atë kohë. Në makinën “X5” ka qenë dhe një person i tretë, i cili ishte me një maskë body, mendoj se ky shtetas me maskë body ishte Altin Ndoci. Këtë fakt ma ka treguar Klodian Çypi, me të cilin jam takuar. Me Klodian Çypin, jam njohur nga Talo Çela. Talo ma ka prezantuar si shokun e tij që kryenin vjedhje makinash…”- tha Irfan Azizi.
Azizi i tregoi grupit hetimor se:
”…Klodianin, e kam takuar pas daljes se tij nga burgu tex karburanti im në Poshnjë. Ai më ka kërkuar lekë borxh. Në bisedë e sipër më ka thënë: "…ki kujdes mos të dali ndonjë gjë tek ngjarja që ka qenë Kasemi (Arben Muça) pasi ai po flet. Ai do ti nxjerri të gjitha. Unë i thashë s'kam asnjë lidhje dhe jam i qetë…”.
Më pas tha që:
”…Kasemi ka folur për Altin Ndocin, Talo Çelën dhe personat e tjerë që kanë prezent në grabitjen e Minella Muçi. Sqaroj se Klodiani, ka lidhje me Arben Muçën dhe vazhdon komunikon dhe tani që është në burg me të. Talo Çela atë natë ka pasur një maskë me “scary movie” dhe “Keli” një maskë “Teletabes”. “Keli” maskën e hoqi dhe e la në makinë. Talo Çela, pasi ka dalë nga makina më ka thënë se është plagosur “Çerri” dhe është kapur “Kasemi”. Sqaroj se “çerri” ishte personi që vdiq ditën e ngjarjes, por unë nuk e njihja dhe “Kasemi” është Arben Muça, të cilin unë e njoh. Talo më tha: "…merri këto dorashka dhe mos e prek makinën pa doreza, merr çoje diku ku mund ta djegësh ose ç’montoje dhe bëj ç’të duash, nuk dua lekë për të. Ndërruam makinat gjatë atij takimi tek xhepi i rrugës, unë mora makinën “X5” dhe e dërgova për çmontim te një tokë, ku mua më është kapur një herë një makinë e vjedhur. Kur bëmë këto biseda isha vetëm unë dhe Talo, pasi “Keli” dhe personi me maskë për të cilin mësova më pas nga Klodian Çypi, u fut në makinën time që çova unë. Dy personat e tjerë nuk folën asnjë fjalë, pasi sqaroj se ky veprim, pra shkëmbimi i makinave është bërë në një kohë shumë të shkurtër dhe ata e kishin me nxitim. Makinën time që morën atë natë ma ktheu Talo Çela pas disa ditëve. Ai më tha që kishte fshirë shenjat e gishtave te makina ime dhe është larguar pasi e ka marrë dikush me një mjet benz. Unë i thashë mos më hapësh ndonjë telash për këtë gjë, ai më tha se unë s’kisha lidhje pasi secili mund të dënohej për rolin e vetë…”.
Gjithashtu, Azizi ka sqaruar se:
”…pas ngjarjes së Minellës, Talo Çela, kishte marrë dosjen e grabitjes së Minellës, ku ishte arrestuar Arben Muça. Ai më tha një ditë që isha në makinë me të"… Kjo është dosja e grabitjes së Minella Muçës, dhe se nuk ka dalë asnjëri prej çunave…", pa më përmendur emra...".