Britania e Madhe do të sjellë 200 të burgosur të rrezikshëm shqiptarë në Shqipëri.
Sipas The Telegraph, Britania e Madhe ka ndihmuar në hapjen e një burgu të ri shumëmilionësh në Shqipëri, si pjesë e një marrëveshjeje transferimi të të burgosurve me vlerë 4 milionë paund në vit.
Oficerët britanikë të burgjeve kanë bashkëpunuar me homologët shqiptarë për të zhvilluar burgun e parë të hapur të Shqipërisë, në kuadër të përpjekjeve për të trajtuar krizën e mbipopullimit të burgjeve në Angli dhe Uells. Një burg i hapur nënkupton kufizime minimale në lëvizjet dhe aktivitetetet e të dënuarve.
Britania po paguan Shqipërinë për të pranuar 200 nga të burgosurit shqiptarë më të rrezikshëm që aktualisht ndodhen në burgjet britanike, ndërsa po financon edhe trajnimin e oficerëve të burgjeve, rinovimin e burgjeve, forcimin e sigurisë dhe pajisje për rehabilitim.
Sipas marrëveshjes dyvjeçare, të burgosurit shqiptarë do të transferohen për të kryer pjesën e mbetur të dënimeve të tyre në Shqipëri, duke përfshirë vrasësit, përdhunuesit dhe trafikantët e drogës.
Burgu i ri në Tiranë, i quajtur "Ali Demi", do të përfshijë të burgosurit që ndodhen në gjashtë muajt e fundit të dënimit të tyre, duke synuar riintegrimin e tyre në shoqëri përmes një regjimi më të hapur, i cili imiton modelet e ngjashme britanike.
Aktualisht, vendi ku do të vendoset ky burg i hapur është Burgu i Grave në "Ali Dem", por ai do të transformohet në këtë institucion të ri për të burgosurit meshkuj.
Artikulli i plotë i "The Telegraph"
Britania ka ndihmuar në hapjen e një burgu të ri shumëmilionësh në Shqipëri, si pjesë e një marrëveshjeje transferimi të të burgosurve me vlerë 4 milionë paund në vit me këtë shtet ballkanik. Oficerët britanikë të burgjeve kanë bashkëpunuar me homologët shqiptarë për të zhvilluar burgun e parë të hapur në Shqipëri, në kuadër të përpjekjeve për të lehtësuar krizën e mbipopullimit në burgjet e Anglisë dhe Uellsit.
Britania po paguan Shqipërinë për të pranuar 200 nga të burgosurit e saj më të rrezikshëm dhe gjithashtu po financon trajnimin e oficerëve të burgjeve, rinovimin e burgjeve, rritjen e sigurisë, si dhe pajisjet për rehabilitim. Në kuadër të kësaj marrëveshjeje, do të përfshihen edhe një flotë prej 15 makinash elektrike dhe 22 minibusësh për përmirësimin e shërbimeve të burgjeve në Shqipëri, një investim prej 1.5 milionë paundësh.
Kjo iniciativë është një pjesë e përpjekjeve të Qeverisë Britanike për të trajtuar krizën e mbipopullimit që ka shkaktuar mungesë hapësire në burgjet e Anglisë dhe Uellsit gjatë verës së kaluar. Aktualisht, rreth 1,270 shqiptarë ndodhen në burgjet britanike, duke përfaqësuar grupin më të madh të të huajve të burgosur dhe duke përbërë pothuajse një në shtatë të 10,500 të burgosurve të huaj.
Të burgosurit e huaj po zënë një nëntë të vendeve në burgjet britanike, me një kosto prej 52,000 paund për person në vit, që i kushton shtetit britanik rreth 550 milionë paund çdo vit. Për këtë arsye, ministrat britanikë po përpiqen të gjejnë mënyra për të riatdhesuar të burgosurit në vendet e tyre.
Burgu i ri i hapur në Tiranë, i quajtur "Ali Demi", do të targetojë të burgosurit që ndodhen në gjashtë muajt e fundit të dënimeve të tyre dhe do të imitojë burgjet e hapura të ngjashme në Britani. Një ekip menaxherësh të shërbimit të burgjeve dhe ekspertë teknikë nga Britania kanë këshilluar në planifikimin dhe krijimin e regjimit për këtë burg, ku të burgosurit do të kenë dhomat e tyre të vendosura në një “rrugicë” të stilit terracë me liri për të lëvizur brenda dhe jashtë burgut.
Fillimisht ky institucion ishte një burg për femrat, me një regjim më të “butë” që synonte rehabilitimin dhe riintegrimin e tyre në shoqërinë shqiptare, por tani do të ketë hapësirë për 25 të burgosur meshkuj. Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit të Burgjeve të Shqipërisë, Klevis Qose, ka deklaruar: "Ne jemi të gatshëm për të populluar burgun e hapur Ali Demi, burgun më të ri në Shqipëri. Projekti, i financuar nga qeveria shqiptare dhe me mbështetjen e ambasadës britanike në Tiranë për të rritur dhe forcuar kapacitetet e burimeve njerëzore, pritet të përgatitë të burgosurit për t'u përshtatur sa më natyrshëm me jetën civile."
Ky burg i hapur mund të përdoret nga të burgosurit shqiptarë më seriozë të transferuar nga Britania drejt fundit të dënimeve të tyre. Sipas marrëveshjes dyvjeçare, këta kriminelë, të gjithë me dënime mbi katër vjet, do të përfundojnë dënimin në Shqipëri me një kosto prej 32 paund në ditë, krahasuar me 109 paund në ditë në Britani.
Ndër të burgosurit që do të transferohen janë 17 të dënuar me burgim të përjetshëm, duke përfshirë edhe Koci Selamajn, vrasësin e mësuese Sabina Nessa, i cili është dënuar me minimum 36 vjet burg për vrasjen brutale të saj në një park në juglindje të Londrës. Ai ka vuajtur vetëm dy vjet dënim, gjë që do të thotë se Britania do të paguajë Shqipërinë rreth 400,000 paund për ta mbajtur atë në burg për 34 vitet e mbetura të dënimit të tij, ndërkohë që në Britani do të kushtonte më shumë se 2 milionë paund.
Do të krijohet një grup i përbashkët mbikëqyrjeje për të parandaluar keqtrajtimin e të burgosurve, me qeverinë shqiptare që do të hartojë një raport vjetor mbi kushtet e tyre, ndërsa qeveria britanike do të ketë të drejtën të kryejë inspektime fizike. Çdo vend ka të drejtë të përfundojë marrëveshjen me dy muaj njoftim me shkrim.