Rrugëtimi drejt suksesit për të rinjtë duket më sfidues se kurrë. Në një epokë ku stabiliteti financiar shpesh identifikohet me suksesin, një studim i ri ka zbuluar se shumica e të rinjve po bëjnë sakrifica të konsiderueshme personale për të arritur qëllimet e tyre profesionale.
Studimi i realizuar nga The Prince’s Trust dhe LADbible Group evidenton një trend shqetësues: gati gjysma e të rinjve (47%) pranojnë se kanë sakrifikuar shëndetin e tyre mendor për të bërë progres në karrierë. Stabiliteti financiar është prioriteti më i madh për shumicën e të rinjve, ku 72% që e tyre e identifikojnë atë si faktor kyç në përcaktimin e suksesit të tyre, duke lënë në hije treguesit tradicionalë si përmbushja profesionale.
Kjo ndjesi e nevojës për stabilitet financiar ka çuar shumë të rinj në prioritizimin e punës mbi marrëdhëniet personale dhe kujdesin për veten. Gati gjysma e të rinjve (46%) raportojnë se kalojnë më pak kohë me familjen dhe miqtë, dhe 31% e tyre po kufizojnë udhëtimet dhe pasionet e tyre.
Këto sakrifica janë edhe më të theksuara mes grupeve në vështirësi, ku 62% e të rinjve me strehim social ose me përgjegjësi kujdestarie raportojnë se kanë sakrifikuar shëndetin e tyre mendor për përparim në karrierë. Ky ndërlikim bëhet edhe më alarmant kur merret parasysh se pak më shumë se gjysma e të rinjve të anketuar (52%) janë të gatshëm të sakrifikojnë jetën e tyre sociale për të pasur sukses në karrierë. Po ashtu, 32% e tyre u shprehën të gatshëm të linin pas dore shëndetin e tyre mendor, ndërsa 33% do të vendosnin në plan të dytë mirëqenien e tyre fizike.
Presioni financiar që përballen të rinjtë shpesh i shtyn ata të bëjnë disa punë të ndryshme. Sipas hulumtimit, 44% e të anketuarve kanë punuar më shumë se një punë në të njëjtën kohë në momente të ndryshme të jetës së tyre, ndërsa 18% po e bëjnë aktualisht këtë gjë. Motivimi kryesor pas këtij trendi është mbulimi i shpenzimeve (35%) dhe ofrimi i mbështetjes financiare për familjet e tyre (33%).
Të dhënat e këtij hulumtimi shërbejnë si një kujtesë të rëndësishme për rëndësinë e shëndetit mendor në rrugën drejt suksesit. Të rinjtë sot po navigojnë në një peizazh kompleks, prandaj është thelbësore të gjejnë një balancë midis aspiratave financiare dhe lumturisë personale.