Më datë 23 shtator 2024, me vendim të Gjykatës së Tiranës, policia ka arrestuar 41-vjeçarin Vangjush Mile, si drejtues i mjetit që shkaktoi aksidentin tragjik në Maqedoninë e Veriut më 28 nëntor 2023, ku humbi jetën shoqëruesja e tij, 24-vjeçarja Evanthia Tavo, vajza e ish-deputetit Vangjel Tavo.
Arrestimi i Miles, ka ardhur pas një kallëzimi të mbërritur në Prokurorinë e Tiranës për aksidentin në fjalë, por nuk dihet nëse kallëzimi ka qenë për rrethanat e aksidentit, për të dhënat e rreme personale të tij dhe viktimës apo lidhjes që ai kishte me viktimën dhe rrethanat e udhëtimit të tyre.
Pas shqyrtimit të këtij kallëzimi, Prokruroria ka regjistruar procedimin penal "Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor" dhe ka marrë në pyetje ish-deputetin Tavo, ekspertë të qarkullimit rrugor por edhe dëshmitarët e aksidentit. Në përfundim të hetimeve, prokuroria ka konstatuar shkeljet e drejtuesit të mjetit Vangjush Mile dhe ka kërkuar arrestimin e tij.
Por arrestimi i tij ka zbuluar një skandal të madh pasi pak muaj pas aksidentit ai është emëruar Shef Sektori i Sigurisë Fizike të Dosjeve në Autoritetin e Dosjeve të ish-Sigurimit. Edhe pse Autoriteti i Dosjeve e ka shpallur Milen fitues të konkursit për pozicionin e specialistit, konkursi nuk është zhvilluar kurrë pasi ai ka qenë aplikues i vetëm e fitues i paracaktuar.
Shkelja tjetër është kryer nga kryetarja Gentiana Sula, e cila e ka emëruar Vangjush Milen në sektorin sekret të dosjeve, pa Certifikatë Sigurie nga DSIK, megjithëse sipas ligjit, para përzgjedhjes e emërimit; vetë ajo, ishte e detyruar t’i kërkonte Drejtorisë së Informacionit të Klasifikuar, të dhënat për integritetin e tij penal aktual, të shkuarën që prej moshës 18 vjeç dhe integritetin familjar e shoqëror.
Ai është punësuar, në një sektor ku është e detyrueshme, pajisja me Certifikatë Sigurie “C” të nivelit “Tepër Sekret” me afat 3 vite e verifikim pas 3 vitesh; të njëjtë si certifikatat për drejtuesit e policisë, SHISH, Interpol-Tirana, Anti-Krimit, Anti-mafies, Anti-Trafikut, Prokurorët dhe zyrtarët e Shtabit të Përgjithshëm e Shërbimit Sekret të Ushtrisë. Madje, një nga kushtet për të punuar në sektorët e shërbimeve e arkivave tepër sekrete të shtetit, sidomos ato të sigurisë kombëtare është që të mos jesh as në hetim penal kur punësosh.
Por edhe pse Vangjush Mile ishte nën hetim për aksidentin në momentin e emërimit, ai ka vazhduar punën i qetë dhe arrestimi i tij tani në muajin shtator është mbajtur i fshehtë si nga mediat ashtu edhe policia.
Reagim i Autoritetit të Dosjeve:
AIDSSH sqaron se Vangjush Mile është punonjës i AIDSSH-së dhe se arrestimi i tij nuk ka asnjë lidhje me detyrën ose funksionin e tij në institucion. Ndërkohë jemi në kontakt me organet ligj zbatuese për të marrë vendimet tonë në bazë të ligjit.
Autoritetit dëshiron të sigurojë publikun se zbaton standardin më të lartë për rekrutimet dhe të kritereve të sigurisë dhe rekrutimi i shtetasit V. Mile në AIDSSH është kryer në përputhje me ligjin dhe procedurat përkatëse, dhe jo në kundërshtim me ligjin siç pretendohet në artikullin e mësipërm.
Për pranimin në detyrë dhe pajisjen me certifikatë sigurie të informacionit të klasifikuar në nivelin "tepër sekret", të lëshuar tashmë për shtetasin Mile nga AKSIK-u, janë kriter vërtetimet nga Gjykata, Prokuroria e Zyra e Gjendjes Gjyqësore, ku përfshihet dhe pajisja me dëshmi penalitetit. Këto dokumente janë të rregullta dhe të plota në dosjen e tij të punës, ndaj pretendimet për shkelje të ligjit dhe mungesës së certifikatës së sigurisë janë tërësisht të pathemelta, dashakeqe, nuk kanë asnjë bazë faktike dhe janë të padenja për një media.
Në përputhje me standardin më të lartë etik platformat mediatike janë të lira të shfrytëzojë ligjin e të drejtës për informim për t’u njohur me fakte të verifikueshme. Në këtë rast artikulli në fjalë nuk i përmbahet këtij standardi, duke keqpërdorur informacione mbi të cilat kanë ndërtuar një narrativë të pasaktë.
AIDSSH i konsideron akuzat si shpifje të rënda që synojnë të dëmtojnë rëndë imazhin e institucionit. Autoriteti nuk do të lejojë që institucioni i tij të jetë objekt i lojërave të pista apo sulmeve të tilla.