Debati mbi lidhjen midis përdorimit të celularëve dhe rrezikut të shtuar për kancer në tru ka qenë prezent për pothuajse aq gjatë sa vetë celularët. Së fundmi, një studim i madh nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) pritet të zgjidhë përfundimisht këtë çështje.
Në vitin 1993, David Reynard nga Florida pretendoi se rrezatimi nga celulari kishte ndikuar në vdekjen e gruas së tij nga kanceri në tru, duke ngritur padi kundër kompanisë që kishte prodhuar celularin. Megjithëse rasti u hodh poshtë në vitin 1995, ai mbolli dyshime mbi ndikimin e celularëve në shëndet, që vazhduan për dekada. Në vitin 2011, OBSH dhe Agjencia Ndërkombëtare për Kërkimin e Kancerit e klasifikuan rrezatimin nga celularët si një kancerogjen të mundshëm për njerëzit. Më vonë, një studim në vitin 2016 tregoi se ky rrezatim shkaktonte kancer te brejtësit, duke shtuar frikën publike.
Megjithatë, një studim i fundit, i udhëhequr nga Agjencia Australiane për Mbrojtjen nga Rrezatimi dhe Sigurinë Bërthamore, analizoi mbi 5,000 studime të tjera dhe përfshiu 63 studime të publikuara midis viteve 1994 dhe 2022 në analizën përfundimtare dhe arriti në përfundimin se, ndonëse përdorimi i celularëve është rritur shumë gjatë 20 viteve të fundit, nuk ka pasur rritje konkrete në rastet e kancerit në tru apo ndonjë kancer tjetër të kokës dhe qafës. Madje, as tek ata që përdorin celularët më shumë dhe për periudha më të gjata se 10 vjet.
Studimi gjithashtu analizoi ekspozimin ndaj valëve radio nga kullat e celularëve dhe në profesione ku njerëzit janë të ekspozuar më shumë ndaj rrezatimeve të radiofrekuencave në punë, dhe përsëri nuk gjeti asnjë lidhje me kancerin. Këto gjetje, të mbështetura nga analiza e të dhënave globale, sugjerojnë se celularët dhe teknologjia pa tel nuk përbëjnë një rrezik për shëndetin e njeriut.
Këto rezultate janë të arsyeshme, duke pasur parasysh që disa studime tregojnë se vetëm në Shtetet e Bashkuara, përdorimi mesatar i celularëve është rreth katër orë e 37 minuta në ditë. Për më tepër, të dhëna të tjera sugjerojnë se rreth tre të katërtat e popullsisë globale përdorin këto pajisje. Me një nivel kaq të madh përdorimi, nëse rrezatimi i celularëve do të ishte vërtet kancerogjen, do të pritej një rritje e konsiderueshme e rasteve të kancerit në tru, por kjo nuk është vërejtur. Përkundrazi, shkencëtarët theksojnë se shkalla e kancerit në tru ka mbetur pothuajse e pandryshuar që nga viti 1982.