Një 26-vjeçar, Shkëlqim Saraçi, është arrestuar në Tiranë për tentativë mashtrimi, pasi kërkoi të marrë 50 mijë euro nga një administrator i një subjekti privat duke u prezantuar si Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.
Saraçi komunikonte me administratorët e bizneseve përmes aplikacionit Signal, duke pretenduar identitetin e Veliajt.
Sipas burimeve, ai i ka dërguar një biznesmeni mesazhe ku i kërkonte shumën prej 50 mijë euro. Pas marrjes së këtyre mesazheve, biznesmeni ka bërë denoncim në Policinë e Tiranës, e cila ka përfshirë Seksionin Kundër Krimit Ekonomik për të nisur hetimet.
Policët kanë këshilluar biznesmenin të organizojë një takim me Saraçin për t’i dorëzuar 20 mijë euro. Ky takim u monitorua nga policia dhe në momentin që Saraçi mori paratë, ai u arrestua në flagrancë.