Banorët e fshatrave Gumenicë, Lapardha dhe Mazhar, të cilët janë të lidhur me Kotën përmes urës kryesore, po përballen me një situatë tejet të rrezikshme.
Ura që lidh këto fshatra me pjesën tjetër të bashkisë është në gjendje të rënduar dhe kritike. Siç mund të shihet nga fotot dhe videot e dërguara nga banorët lër JOQ, ura tundet ndjeshëm kur mbi të kalojnë automjete, duke krijuar zhurma të rrezikshme që tregojnë dobësinë e strukturës.
Kjo është ura e vetme që lidh këta banorë me pjesën tjetër të rajonit, dhe ata janë të detyruar ta përdorin çdo ditë për të shkuar në punë, për të dërguar fëmijët në shkollë, apo edhe për të kryer nevojat bazë si blerja e ushqimeve apo shërbimet mjekësore. Duke qenë se nuk ka rrugë alternative, ky problem paraqet një rrezik të lartë për jetën e përditshme të banorëve të këtyre fshatrave.
Banorët hedhin pyetjen se çfarë po pret kryetari i Bashkisë së Selenicës për të ndërhyrë në rregullimin e urës dhe rrugëve të këtyre fshatrave? Ata kërkojnë një zgjidhje të menjëhershme për të shmangur ndonjë fatkeqësi të mundshme.
“Shpresojmë që ky sinjalizim të tërheqë vëmendjen e institucioneve dhe situata të zgjidhet sa më shpejt për të garantuar sigurinë e banorëve,”-shkruajnë ata për JOQ.