Qeveria ka miratuar një vendim që mundëson rritjen e pagave për punonjësit e bashkive në të gjithë vendin, duke filluar nga kryebashkiakët.
Ky vendim parashikon hyrjen në fuqi të pagave të reja në të gjitha bashkitë për kryebashkiakët, nënkryetarët, drejtorët dhe stafin e administratës së njësive të qeverisjes vendore.
Fondi për mbulimin e këtyre pagave do të mbështetet nga buxheti i shtetit, dhe pritet që kjo rritje të shoqërohet me një ristrukturim të bashkive dhe stafeve të tyre.
Sipas ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku, nga 1 Shtatori, paga minimale do të rritet nga 32 mijë lekë në 70 mijë lekë. Për Bashkinë Tiranë, kufiri minimal i pagës për kryetarin do të jetë 268 mijë lekë në muaj, ndërsa maksimumi do të arrijë deri në 318 mijë lekë. Nënkryetarët e kësaj bashkie do të kenë një kufi maksimal deri në 270 mijë lekë në muaj.
Për njësitë e vetëqeverisjes vendore me më shumë se 200 mijë banorë, paga për kryetarët do të variojë nga 255 mijë lekë deri në 290 mijë lekë në muaj, ndërsa për nënkryetarët ajo do të arrijë deri në 255 mijë lekë.
Në bashkitë me popullsi nga 50 mijë deri në 200 mijë banorë, paga për kryetarët do të arrijë deri në 260 mijë lekë, ndërsa për nënkryetarët deri në 205 mijë lekë. Në njësitë me deri në 50 mijë banorë, paga maksimale për kryetarët është 240 mijë lekë, ndërsa për nënkryetarët 185 mijë lekë.
Përsa i përket këshillit të qarkut, paga për kryetarin do të arrijë në 260 mijë lekë dhe për nënkryetarin në 205 mijë lekë.
Rritje të konsiderueshme kanë pësuar edhe pagat e drejtorëve në pushtetin vendor, të cilat tani janë barazuar me ato të drejtorëve në ministri. Ka gjithashtu një përafrim të pagave për nëpunësit civilë në të gjitha bashkitë, duke ulur hendekun e mëparshëm për shkak të numrit të popullsisë dhe kategorive të ndara. Pagat e specialistëve fillojnë nga 40-80 mijë lekë në muaj.
Në bashkitë e mëdha, pagat për nivelin e përgjegjësisë sektoriale arrijnë deri në 105 mijë lekë në muaj, për drejtorët e drejtorive deri në 141 mijë lekë në muaj, ndërsa drejtorët e përgjithshëm marrin deri në 170 mijë lekë, dhe sekretari i përgjithshëm 205 mijë lekë në muaj.
Fatura vjetore për rritjen e pagave në pushtetin vendor është 3 miliardë lekë dhe do të mbulohet nga buxheti i shtetit, ndërsa diferenca mbi këtë nivel do të mbulohet nga buxhetet e bashkive.
Bashkia Tiranë, si bashkia më e madhe, e miratoi këtë rritje në mbledhjen e fundit, me paga që variojnë nga 70 mijë lekë (paga më e ulët) deri në 318 mijë lekë (paga maksimale për kryetarin). Rritja mesatare për 1659 punonjës është rreth 25 për qind më shumë. Ky trajtim pagash ka filluar tashmë me hyrjen e muajit Shtator, ndërsa frytet e para do të shihen në fillim të Tetorit, kur punonjësit do të marrin pagat e reja.
Ndryshimet përfshijnë jo vetëm rritjen e pagave, por edhe trajtime të tjera. Të gjithë specialistët do të marrin 10 mijë lekë shtesë për pozicionin e tyre, duke e unifikuar pagën me specialistët në administratën qendrore.
Paga e zëvendëskryetarëve do të rritet në 270 mijë lekë, nga 255 mijë lekë aktualisht, dhe për të gjithë nëpunësit civilë do të ketë ndryshim të kategorizimit. Propozimet për rritjen e pagave shkojnë mesatarisht në rreth 24.6%, nga e cila do të përfitojnë 1659 punonjës.