Detaje të reja janë bërë me dije mbi incidentin ku janë të përfshirë tre efektivë të repartit "Shqiponja" të Policisë së Tiranës.
Tre policët kanë ndaluar për një kontroll rutinë një qytetar në rrugën Tiranë-Fushë Krujë, por qytetari, pasi i dorëzoi dokumentet, kërkoi të largohej me shpejtësi për shkak të situatës së djalit të tij, duke pretenduar se e kishte të shtruar në spital.
Pasi ai u largua, polici Rezart Berberi nxori armën dhe qëlloi dy herë në drejtim të automjetit, duke e goditur në pjesën e pasme. Ngjarja është mbajtur e fshehtë nga efektivët, të cilët kanë manipuluar provat në vendngjarje dhe kanë hequr gëzhojat.
Qytetari ka bërë kallëzim në Prokurorinë e Tiranës, e cila ka nisur hetimet, duke konfirmuar rrjedhën e ngjarjes.
Dy efektivët, Elton Dokollari dhe Florian Zeneli, janë vendosur në masën "detyrim paraqitje", duke pretenduar se veprimi i tyre ishte në kushte vetëmbrojtjeje, pasi sipas tyre, qytetari tentoi t’i përplaste me makinë.
Ndërkohë, polici Rezart Berberi vazhdon të jetë në kërkim, me akuza për tentativë vrasjeje, falsifikim dokumentesh dhe kallëzim të rremë.