Policia spanjolle ka arrestuar pesë persona pasi akuzohen për mashtrimin e dy grave me 325,000 euro duke u paraqitur si ylli i Hollivudit, Brad Pitt.
Të dyshuarit kontaktonin me gratë në një faqe interneti për fansat e aktorit, duke i bindur ato se kishin një marrëdhënie sentimentale me të.
Sipas policisë civile të Spanjës, anëtarët e bandës i inkurajuan gratë të investonin në projekte të pavërteta. Një grua nga Andaluzia humbi 175,000 euro, ndërsa tjetra nga Rajoni i Baskëve humbi 150,000 euro.
Policia theksoi se kriminelët kishin studiuar rrjetet sociale të grave dhe kishin krijuar një profil psikologjik, duke zbuluar se ato ishin të pambrojtura dhe në gjendje depresioni. Ata përdorën platforma të mesazheve për të komunikuar me gratë, duke i bindur ato se po flisnin me Pittin dhe duke u premtuar një të ardhme së bashku.
Pas bastisjeve në pesë shtëpi, policia ka sekuestruar telefona, karta bankare dhe kompjuterë, duke arritur të rikuperojë 85,000 euro.