Anipse Kosova është shtet laik sa i përket besimeve fetare, mbulesa vazhdon të jetë e ndaluar nëpër institucionet shkollore.
Madje vendosja e shamisë tek vazhdon të sjellë ende debat, e të shndërrohet në problematik shpesh herë.
Së fundi një nxënëse pati po këtë problem, për shkak të mbulesës.
A.D. nxënëse e gjimnazit “Bedri Pejani”, në Pejë, është larguar nga shkolla pasi e njëjta ka vendosur që të bartë shaminë.
Në lidhje me këtë largim pati edhe reagime të shumta.
E është drejtori ekzekutiv i Qendrës Kosovare për Paqe, Labinot Maliqi, i cili gjatë një konference të mbajtur sot para objektit të Ministrisë së Arsimit bëri të ditur për largimin nga shkolla të vajzës në fjalë.
“Jemi në javën e katërt që nxënësja 18 vjeçare, A.D. nga Gjimnazi “Bedri Pejani” në Pejë, ka mbetur në shtëpi, pasi që ajo u largua nga shkolla më 2 shtator, ditën e parë të vitit të ri shkollor, për shkak të bartjes së shamisë. Me urdhër të drejtorit Musa Nikçi dhe ky largim u bë pa ndonjë vendim zyrtar. Kjo vajzë nuk i ka bërë keq askujt, përveç se don të arsimohet si çdo nxënëse tjetër”, deklaroi Maliqi.
Maliqi gjithashtu ka kërkuar shfuqizimin e udhëzimit administrative që ndalon uniformën fetare në shkolla.
Labinot Maliqi kërkoi që ministrja Nagavci të ndërmarrë masa ndaj këtij institucioni arsimor.
E në lidhje me këtë çështje, drejtori i shkollës Musa Nikçi në një deklarim tha se nxënësja nuk është përjashtuar, por vetëm është pezulluar.
“Nuk është përjashtuar, është pezulluar derisa ta largon shaminë nëse don me ardhë si nxënëse e rregullt për shkak të ligjeve dhe udhëzimit që ka shkolla në fuqi. Atë nuk e kam largu unë, e ka largu ligji e kemi udhëzimin”, deklaroi ai.
Madje ai e pranoi se ishte njoftuar në lidhje me këtë vendim për mbulesë.
“Po erdhi në fund të klasës së 11 dhe më njoftoi . I kam treguar që ligji dhe udhëzimi nuk e lejojnë. Është mirë me e shty, kemi diskutuar edhe me prindin e saj edhe nëna e saj ka qenë e pajtimit qe ta shtyjë, por nuk dëgjoi andaj jemi të detyruar që të zbatojmë ligjin “deklaroi drejtori.
Ai gjithashtu tha se nxënëses i është propozuar që të heq shaminë të vazhdojë mësimet së paku të kryejë ndjekjen mësimeve pasi është maturante e t’i përfundojë ato por s’ka pranuar.
Ai po ashtu thanë se i kanë propozuar mundësinë që mësimet t’i ndjek edhe online nga shtëpia por se s’ka dashur.
“E kemi njoftu me kohë. Prai kemi thënë se mundet së paku online në mënyrë digjitale me i ndjek mësimet, e me hy në teste pasi është maturante dhe na vjen keq me i humb mësimet, por s’ka dashtë. Pra mendoj se kjo për përdoret për propagandë. Individi kundër shkollës, se s’ka të bëjë me tjetër. I kemi thënë ne rri pra nga shtëpia ndjeki mësimet, por s’ka dashtë as me e mbyll vitin”,deklaroi ai.
E në lidhje me këtë rast tashmë ka nisur dhe një hetim prokurorial.
Kjo është konfirmuar për lajmi.net nga zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi.
Nikçi njoftoi se pasi kanë pranuar informatat në lidhej me rastin, çështja i është ndarë një prokurori të shtetit i cili do ta trajtojë atë se a ka rasti elemente të veprës penale.
“Pasi kemi pranuar informatat përmes email-it zyrtar për rastin në fjalë, çështja i është ndarë një prokurorit të shtetit , i cili do ta trajtoj rastin se a ka elemente të veprës penale “Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës”, nga neni 190 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”,tha ai.
Kurse nga Drejtoria e Arsimit në Pejë kanë theksuar se për këtë rast janë njoftuar nga drejtori i shkollës dhe se ai po e zbaton udhëzimin administrativ.