Një 48-vjeçar, baba i katër fëmijëve u vu në pranga ditën e shtunë pasi kanosi me kallashnikov të shoqen dhe qëlloi disa herë në ajër, duke shkaktuar rrezik për fqinjët.
Fill pas ngjarjes kanë reaguar edhe fqinjët të cilët e përshkruajnë autorin si njeri të ndershëm dhe punëtor, por theksojnë se konsumi i alkoolit e ka shtyrë drejt këtij veprimi.
"Bujari ka qenë gjithmonë njeri hallexhi, asnjëherë nuk ka pasur probleme as me policinë as me fshatin", thotë një fqinj.
Gjithashtu, shtojnë se ai kishte pirë raki përpara se të qëllonte.
"Ishte gjithmonë familjar i rregullt, njeri i qetë, por atë natë kishte konsumuar shumë alkool," shtuan ata. Ngjarja ndodhi pranë një stani ku ai qëlloi disa herë në ajër, por sipas tij, nuk kishte kërcënuar me armë.
48-vjeçari, i cili tentoi të arratisej në një zonë pyjore, u vu në pranga, ndërsa gjatë kontrollit, në makinën e tij u gjet një kallashnikov.